Ndërrohet Gjyqtarja në Gjykimin për Terrorizëm

Hajrie Shala që ishte kryetare e trupit gjykues në gjykimin ndaj 11 personave të akuzuar për organizim e pjesëmarrje në grupe terroriste dhe armëmbajtje pa leje ka kaluar në detyrë të re si gjyqtare e Gjykatës Supreme, ndërsa këtë proces gjyqësor e ka marrë gjyqtarja Suzana Qerkini.

Megjithatë, seanca e caktuar për sot nuk u mbajt.

Për KALLXO.com Suzana Qerkini, gjyqtarja që ka marrë këtë lëndë dhe lëndët tjera të gjyqtares Hajrie Shala tregoi se i ka thënë asistentes së saj që t’i njoftojë palët se sot nuk do të mbahet seanca dhe kjo seancë do të caktohet së shpejti.

Shtyrje në këtë lëndë ka pasur edhe herën e kaluar për shkak se kishte munguar një nga mbrojtësit.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-per-terrorizem-ne-mungese-te-avokateve/

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancën e kaluar edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015, ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzohen për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Seanca e pambajtur u caktua më 22 janar.