KALLXO 360: Muzikë në Muze

Muzeu orët e ditës ua kishte kushtuar fëmijëve të cilët patën mundësi që të mësojnë për lojëra të ndryshme dhe të dëgjojnë muzikë nga nxënësit e “Prenk Jakovës” dhe “Misbah&Friends”.

Drejtori i Muzeut të Kosovës Skender Boshtrakaj, tha se këto aktivitetet kanë qenë të dizajnuara ekskluzivisht për fëmijë kurse synojnë të përfshijnë edhe studentët.

“Po shpresoj që ky komunitet që është krijuar i shkollave dhe i nxënësve do të zgjerohet, gjithashtu sot kemi filluar edhe me një seri të punëtorive në degën e antropologjisë ku do të ketë një seri debatesh me tema të ndryshme që lidhen me muzeologjinë dhe trashëgimin kulturore,” tha ai.

Lapidariumi i Muzeut përveç fëmijëve, mirëpriti edhe të rriturit të cilët u bënë pjesë e një ndërlidhjeje në mes të trashëgimisë, artit, muzikës dhe të tashmes.

Lapidariumi është pjesa e muzeut ku ekspozohen ato që ruhen në të.

Në brendi të Lapidariumit qëndronin të ekspozuara stolitë e ndryshme të përgatitura nga filigrani të artistes Arlinda Zylali të quajtura “Katër stinët”.

Sipas drejtorit kjo është bërë më qëllim që përveç argëtimit vizitorët e natës së sotme të kenë mundësi që të njihen edhe më punimet nga filigrani.

“Është një ekspozitë e filigranit e cila është mbështetëse për artisten dhe për zejet e filigranit që kanë rrezik të shuhen në një vend ku si zeje kanë jetuar më shumë se 2 mijë vjet,” tha ai.

Gjersa drejtori tregonte për KALLXO.com historinë e filigranit e cila sipas tij ka qenë një mjeshtri shumë e veçantë që nga të parët tanë, mysafirët kishin mundësi që të shërbeheshin më pije të ndryshme gjersa dëgjonin muzikë.

Gjersa grupe të ndryshme performonin drejtori i muzeut shpresonte që muzeu të jetë një vend ku qytetarët do të gjejnë pjesët e historisë dhe më to të krijojnë një të ardhmen më të ndritur.

“Muzeu i Kosovës duhet të jetë laborator i historisë dhe vend ku të rinjtë dhe fëmijët vijnë dhe marrin përvoja, përjetime dhe ndërtojnë historinë e tyre duke menduar edhe për të ardhmen e vet evropiane”, tha ai.

Muzeu i Kosovës për 18 maj-Ditën Ndërkombëtarë të Muzeve kishte përgatitur disa aktivitete.

http://kallxo.com/muzeu-shume-aktivitete-ne-diten-e-tij/