Xhubleta që ruhen në Muzeun e Kosovës. Foto: KALLXO.com.

Xhubleta, veshja shekullore e shqiptarëve që u bë pasuri botërore - VIDEO

Xhubleta konsiderohet si veshja më e vjetër e shqiptarëve. Mosha e saj, sipas etnologëve shkon përtej 4 mijë vjetëve. Xhubleta është ruajtur dhe përdorur deri në ditët e sotme në trojet veriore shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi.

Vjetërsia, dizajni e veçantitë e thurjes së saj janë unike, jo vetëm për shqiptarët. Këto cilësi bën që kjo veshje të futet në UNESCO si pasuri botërore në rrezik.

Një e tillë ruhet në Muzeun Kombëtar dhe një në atë Etnologjik në Prishtinë.

Fahri Sheqiri, etnolog në Muzeun Kombëtar të Kosovës tha për KALLXo.com se gjetjet e shumta arkeologjike dëshmojnë se Xhubleta është përdorur 2 mijë vjet para epokës sonë.

Etnologu Sheqiri thotë se thurja e një xhublete kërkon dije të hollë e kohë të gjatë.

“Procesi i punës për thurjen e xhubletës është shumë delikat, duhet një dije dhe një imagjinatë e jashtëzakonshme për ta bërë një veshje të tillë. Sipas të dhënave që kemi nga informatorë nëpër terrene të ndryshme, nga gratë e moshuara që e kanë thurur këtë veshje, thonë se minimum duhen deri 9 muaj për ta kompletuar, si veshjen më të bukur”- tha etnologu Fahri Sheqiri.

 

Fahri Sheqiri, etnolog. Foto: KALLXO.com.

Ai thotë se njihen tri lloje të xhubletave të punuara në mënyra dhe zbukurime të ndryshme. Ndërsa shton se punimi i saj është krejt i veçantë.

“Faktikisht, Xhubleta ndahet në tri lloje, në veshjen e femrave të reja, që zakonisht kanë qenë me vija të bardha e të zeza, veshja e nuseve që ka qenë me vija të zeza dhe e kuqe ku dominojnë ngjyra më të ndezura dhe veshja e grave të moshuara që ka qenë thuajse krejtësisht e zezë. Punimi i saj përbëhet prej copave të shajakut dhe me spik, të qëndisura me spik për ta marrë atë formën e valëzuar, të kambanës dhe xhubleta më e mirë është cilësuar ajo që ka qëndruara në këmbë (vertikalisht)”- tha ai.

Në fund të nëntorit 2022 edhe zyrtarisht u bë e ditur se xhubleta është marrë nën mbrojtje të UNESCO-s. Lajmi u bë i ditur nga Elva Margariti, ministre e Kulturës e Shqipërisë.

 

Xhubleta që ruhen në Muzeun e Kosovës. Foto: KALLXO.com.

 

Xhubleta që ruhen në Muzeun e Kosovës. Foto: KALLXO.com.