Tinka Kurti, VV

Tinka Kurti e LVV kërkon që në Muzeun Kombëtar të krijohen hapësira që njohin kontributin e grave në luftë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje(LVV), Tinka Kurti përmes një rezolute ka kërkuar që brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës të mundësohet krijimi i hapësirave që njohin kontributin e grave në luftë dhe gjatë rezistencës.

Deputetja Kurti tha se ka shumë gra që kanë dhënë dhe rrezikuar jetën e tyre si guerile apo civile, andaj është obligim që të muzealizohet puna dhe kontributi i tyre.

“Sot duhet të dakordohemi vetëm për ftesën që i bëjmë Muzeut të Kosovës për krijimin e hapësirave që njohin kontributin e grave në luftë dhe gjatë rezistencës, dhe të zotohemi se do t’i ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme. Duke e njohur, pra duke e pranuar do t’i edukojmë gjeneratat e reja me një frymë më të barabartë. Janë të panumërta t’i përmendim të gjitha poret e pabarazive, sigurisht që ato janë shoqërore, ekonomike e historike”, ka thënë deputetja Kurti.

Lidhur më këtë kërkesë të saj është përgjigjur ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, i cili shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë nismë.

“Dua ta shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Ministrisë së Kulturës, bashkë më Muzeun Kombëtar të Kosovës, me muze të tjera të vendit tonë, me ekspert dhe shoqërinë civile që gjatë javëve dhe muajve në vijim së bashkë të punojmë për të kuruar një përmbajtje të dinjitetshme kushtuar pjesëmarrjes, kontributit të grave gjatë rezistencës dhe luftës në Kosovë”, tha Çeku.

Çeku tha se falënderon grupin e grave deputete për nismën e tyre që kontributi i grave dhe sakrifica e grave gjatë rezistencës dhe luftës së Kosovës të muzealizohet.

Kuvendi i Kosovës me kërkesë të 40 deputetëve po mban seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës- debat parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.