Mashtrimi publik i Kadri Veselit, kandidati i shkarkuar në fushatë bëhet drejtor i Muzeut

Kadri Veseli nuk kishte prituar që të mburrej me një vendim të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për shkarkimin e drejtorit ri të Muzeut, Ajet Leci. Vendimin për shkarkim të komisionit e kishte marrë ministri Gashi, e lajmin për shkarkim e bëri publik kreu i PDK-së Kadri Veseli në një postimi në Facebook.

Veseli në kohë fushate shkroi se shkarkimi i Komisionit Përzgjedhës për drejtorin e ri të Muzeut të Kosovës nga ministri Kujtim Gashi dhe anulimi i tërë këtij procesi “është dëshmi se nën udhëheqjen time nuk do të lejoj korrupsion dhe nepotizëm”.

Mashtrimet e Kadri Veselit, njerëzit e PDK-së vazhdojnë të punësohen

Por, Ministria e Kulturës ka anuluar vendimin e saj të datës 23.08.2019, me nr. 1547/2019 për anulimin e Konkursit për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dhe nga sot Ajet Leci me vendim të kësaj ministrie është emëruar në krye Muzeut Kombëtar të Kosovës.

MKRS ka konfirmuar për Kallxo.com se Leci nga sot do të jetë edhe zyrtarisht drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Sipas MKRS, Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në MKRS e ka anuluar vendimin e ministrisë dhe ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit Drejtues të MKK-së, për zgjedhjen e Ajet Leci në pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Ne jemi të obliguar me ligj që të zbatojmë vendimet e komisionit, në këtë rast zbatimi i vendimit do të thotë lidhja e kontratës-aktit të emërimit të z. Ajet Leci me MKRS-në dhe kjo sipas vendimit të mbetur në fuqi të KD. Kjo pritet të bëhet sot. Baza ligjore është vendimi i komisionit dhe i KD, të cilat funksionojnë dhe kanë kompetenca bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhet  në përgjigjen e MKRS.

Ndërsa, Ajet Leci ka konfirmuar për Kallxo.com, se ai ka drejtuar ankesa në komisionin përkatës në MKRS pas anulimit të zgjedhjes së tij nga Këshilli Drejtues dhe se anketa e tij është miratuar nga KZKA.

“Nuk kam diçka zyrtare, unë jam ankuar dhe komisioni ka miratuar ankesën time”, ka tënë ai.

Ajet Leci, ishte zgjedhur, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, nga Këshilli Drejtues i MKK, më 21 gusht të këtij viti nga një konkurs, i cili ishte përcjellë me favorizime të dukshme për Lecin nga ana e KD-ja së MKK-së gjatë fazës së intervistimit me gojë.

Kallxo.com ka monitoruar nga afër konkursin dhe ka raportuar për procedurat që ishin zhvilluar gjatë intervistimit të kandidatëve.

Por, një ditë më vonë pas vendimit të KD-së  së MKK për zgjedhjen e Lecin në krye të muzeut, ministri në detyrë i Kulturës Kujtim Gashi dhe kryetari i PDK-së Kadri Vesli në kulmin e parafushatës njoftuan për anulimin e konkursit. Ndërsa menjëherë pas kësaj MKRS nxorri edhe vendimin zyrtar për anulimin e konkursit.

Por, gjithçka doli të jetë një manovër politike, për të fshehur emërimet poltike në krye të institucioneve kulturore, pasi Leci është anëtar i PDK-së dhe pjesë e kryesisë së kësaj paritë në Drenas.

Tre muaj më pas vet MKRS e shpalli të paligjshëm vendimin e saj të marrë në gusht gjtë fushatës parazgjedhore dhe miratoi vendimin e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave që i jep të drejta Ajet Leci për të marrë drejtimin e Muzeut Kombëtar.

Kallxo.com ka drejtuar pyetje në adresë të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi për marrë përgjigje rreth konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Muzeut, por, Gashi nuk është përgjigjur në pyetjet e drejtuara përmes postës së elektronike, e as telefonatave.