Mustafa, Megjithatë, Shkon në Bruksel!

Një muaj më herët kishte hedhur idenë se nuk do të shkojë më në Bruksel përderisa kosovarëve nuk u hiqet muri i vizave nga shtetet anëtare të zonës Shëngen, por kryeministri Isa Mustafa ka ndryshuar mendje.

Nesër ai do të ulet përsëri me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federika Mogherini.

Zyra e Mogherinit ka konfirmuar takimin në të cilin është thënë se do të bisedohet për shkallën e zbatimit të deritanishëm të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut dhe për “rrugën përpara” në këtë proces.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet delegacioneve të nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë për këtë vit dhe i pari prej se Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se shumë elemente të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Valon Murtezaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa, tha sot për KALLXO.com se deklarata e këtij të fundit se nuk do të shkojë në takime në Bruksel pa e marrë rekomandimin pozitiv për vizat ishte “mesazh për BE-në” e jo refuzim i dialogut.

“Deklarata e Kryeministrit për liberalizimin në vetvete nuk ka nënkuptuar refuzimin e dialogut, por ka dhënë mesazh të fuqishëm BE-së që të adresojë drejt kërkesën e Kosovës për liberalizim”, tha Murtezaj.

Mustafa kishte thënë se mosdhënia e liberalizimit të vizave për kosovarët do t’ia bënte atij të vështirë që t’i arsyetonte shkuarjet në Bruksel para qytetarëve.

Duke folur për takimin e nesërm në Bruksel, Valon Murtezaj tha se ai “nuk do të ketë karakter klasik negociator”.

“Ftesa në nivel kryeministrash bëhet nga Federica Mogherini dhe ky takim do të bëhet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ky takim vjen sidomos pas miratimit të MSA-së nga BE”, tha ai.

“Është momenti të shikohet sa kemi zbatuar ato që kemi arritur dhe shikojmë drejt hapave të ardhshëm. Kosova do t’i paraqesë të arriturat në zbatim të marrëveshjeve dhe do të kërkojë nga BE ndihmë në ato marrëveshje ku Serbia nuk i ka zbatuar dhe ka ngecje”, u shpreh këshilltari i kryeministrit Mustafa.