Isa Mustafa - Foto: Facebook

Mustafa: Koalicioni me AKR-në i Fortë sa në Ditët e Fillimit

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se koalicioni i partisë së tij me AKR-në dhe Alternativën është i fortë sa në ditët e fillimit të tij.

Lidhur me qëndrimet e shprehura nga drejtues të AKR-së rreth konstituimit të institucioneve, Mustafa ka thënë se ato janë shprehje e orientimeve shtetformuese të partnerëve dhe “këtë LDK nuk e kupton si orientim për thyerje të marrëveshjes së koalicionit dhe perspektivës sonë të përbashkët strategjike”.

“LDK, jo vetëm në nivel parlamentar por edhe në zgjedhje lokale do të bashkëpunojë ngushtë me AKR-në në shumë komuna si dhe me Alternativën, atje ku gjejmë interes të përbashkët. Besoj shumë në njerëzit e AKR-së dhe në kompetencën e tyre për qeverisje”, ka theksuar Mustafa në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka fjalë të mira edhe për anëtarin tjetër të koalicionit parazgjedhor për zgjedhjet e 11 qershorit. “… Sikurse që besoj se Alternativa do të jetë vlerë shtuese e demokracisë sonë”, ka thënë ai.

“Ne ndajmë orientime dhe synime të përbashkëta për vendin, krijojmë sinergji për suksese që i nevojiten Kosovës. Këtë bindje e kisha edhe sot nga takimi miqësor me z. Behgjet Pacolli”, ka theksuar Mustafa.