Foto: Ilustrim

Mungesë e Stafit Akademik në Universitete e Kolegje

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Arsimit, Blerim Rexha, ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me mungesën e stafit akademik në institucionet e arsimit të lartë.

Rexha gjatë raportimit të punës njëvjeçare të Këshillit që e drejton në Komisionin Parlamentar për Arsim tha se ka ende mungesë të stafit akademik dhe tani për tani janë të përkushtuar që udhëzimi të plotësohet dhe aplikohet në plotëni.

“Kemi ende mungesë të stafit akademik dhe për momentin ky është shqetësimi im kryesor në hapësirën e  arsimit të lartë në Kosovë, mungesa e stafit të kualifikuar  akademik për të mbajtur me kompetencë ligjëratat ushtrimet”, tha Rexha.

Ai tha se kanë kërkuar nga bartësit e arsimit e lartë që të plotësojnë kriterin minimal nga 3 doktorë shkence të fushës për të vazhduar procesin e akreditimit të programeve të tyre të studimit.

“Në raport kemi theksuar vetëm njërin prej kritereve dhe ky është kriteri i stafit akademik që është kriteri minimal edhe në udhëzim edhe në vendet e rajonit. Dhe në bazë të këtij kriteri ne kemi kërkuar nga të gjithë bartësit e arsimit të lartë qofshin publikë, qofshin privatë të plotësojnë kriterin minimal nga 3 doktorë shkence të fushës për të vazhduar  procesin e akreditimit të programeve të tyre të studimit”, tha ai.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Salih Morina, gjatë debatit ka thënë se nuk është e kënaqshme cilësia e arsimit në Kosovë.

“Cilësia e arsimit në Kosovë nuk është e kënaqshme. Besoj që edhe këshilli ka mundur ta vërtetojë këtë çështje. Besoj që të ardhmen do të lëvizë për mirë dhe cilësia e arsimit duhet të arrihet në shkallën e nivelit më të lartë”, tha Morina.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu tha se Këshilli duhet të mos lëshojë pe për kushtet e akreditimit të institucioneve duke zbatuar kriteret për cilësi në arsim.

Kurse Shpejtim Bulliqi, deputet i LDK-së, theksoi se  institucionet e arsimit të lartë po aplikojnë programe të njëjta. Kjo sipas tij po krijon një situatë me shumë të diplomuar që nuk po mund të punësohen.