Marrëveshja mes Policisë dhe SHSKUK-së për trajtim me prioritet të policëve, Bekim Haxhiu: E kundërligjshme dhe "dushk për gogla"

Marrëveshja mes Policisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës që zyrtarëve policorë dhe rekrutëve t’u ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbime shëndetësore, po konsiderohet e kundërligjshme dhe “dushk për gogla”, nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili njëkohësisht është edhe pjesë e Komisionit për Shëndetësi.

Sipas kësaj marrëveshje për të cilën njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor.

Haxhiu theksoi se sa i përket listave të pritjes që përmenden në postim, është në kundërshtim me Ligjin për Shëndëtësi.

“Sa i përket listave të pritjes kjo marrëveshje është në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi, nenin 4 dhe 5, ku saktësohet, se të gjithë qytetarët dhe banorët kanë të drejtë të qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor”- deklaroi Haxhiu.

Tutje, sipas tij, kjo është marrëveshje propagandistike pa asnjë efekt tjetër sepse shërbimet shëndetësore në sektorin publik janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, do të thotë edhe për policët.

“Sigurim i kujdesit shëndetësor pa diskriminim, në bazë të ginise, kombit, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, bindjeve politike, gjendjes sociale, orientimit seksual, shkallës së aftësive fizike dhe mendore, statusit familjar dhe moshës, është detyrim për institucionet shëndetësore”- shtoi tutje Haxhiu.

Haxhiu theksoi se marrëveshja nuk justifikon dështimin e Qeverisë në plotësim të kërkesave të Sindikatës së policisë dhe njësive elite policore që u detyruan të protestojnë pasi Qeveria po vazhdon t’ua injorojë kërkesat.

Kundër kësaj marrëveshje reagoi edhe Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve. Ai këtë marrëveshje e ka quajtur këtë marrëveshje të kundërligjshme.

“Çdo qytetar ka të drejtë të qasjes së barabartë në shërbime shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi, sipas ligjit” – ka shkruar Kodra.