Aktakuza për grushtet në Kuvend, flet Mërgim Lushtaku

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetëve Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, në lidhje me grushtet që u shkëmbyen në një seancë të Kuvendit të Kosovës e cila kishte ndodhur në korrik të këtij viti.

KALLXO.com ka kontaktuar me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai tha se nuk ka ndonjë njoftim në lidhje me këtë aktakuzë të cilën e ka ngritur prokuroria deri sa shtoi se do të përballet me drejtësinë.

“Nuk kam parë asnjë lajm për këtë punë, por realisht ajo është pjesë e drejtësisë që e shqipton, unë jam i gatshëm me u ballafaqu çdo herë te organet e drejtësisë. Kam potencu edhe më herët ka qenë një incident jo i këndshëm, ku një qeveritar sulmon deputetët me mjete fizike që realisht edhe më kanë goditur dhe kam pasur edhe lëndime por nuk jam i tillë që viktimizohem por prapë se prapë në atë incident i pashembullt deri më sot në botën demokratike ku një qeveritar sulmon deputetet në shtëpinë e tyre, në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, normalisht nuk është i këndshëm”- ka komentuar aktakuzën gjatë një bisede përmes telefonit, deputeti Lushtaku për KALLXO.com.

Ai tha se do të ballafaqohet në gjykatë me argumente.

“Do të ballafaqohemi në kuptimin që drejtësia të triumfojë”- përfundoi bisedën Lushtaku.

Grushtat në seancën e 13 korrikut, aktakuzë ndaj tre deputetëve dhe një zv/kryeministri

Prokurorisë Themelore të Prishtinës i është dashur nga 13 korriku 2023, deri më tani që të zhvilloj hetime dhe të zgjeroj hetimet në lidhje me mbledhjen dhe analizimin e provave për incidentin që çoi deri në grushte mes disa deputetëve dhe një zëvëndëskryeministri më 13 korrik.

Organi akuzues ka bërë të ditur se ndaj Hajdar Beqajt ka ngritur aktakuzë edhe për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë përveç asaj të sulmit.

“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Kujtojmë se gjatë kohës sa po mbante fjalim kryeministri Albin Kurti në Kuvend ka ndodhur një përplasje fizike më 13 korrik 2023.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të gjatë.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karrigia e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi.

Në mbrojtje të kryeministrit doli ministri i Financave, Hekuran Murati.

Lushtaku shihet duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.

Ndërsa shihet duke e goditur dikë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë tjerë të LVV-së e të PDK-së.

Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti kishte reaguar menjëherë duke siguruar atë.

 

Përleshje fizike në seancën e Kuvendit – VIDEO