Ilustrim

MPJ nuk e Konfirmon Vdekjen në Hungari

Ministria e Punëve të jashtme me anë të një komunikate njoftoi se është duke u përpjekur për të vërtetuar një lajm të pakonfirmuar të publikuar në mediet kosovare për vdekjen e mundshme të një kosovari në kufirin mes Hungarisë e Serbisë.

MPJ-ja në komunikatë sqaron se autoritetet hungareze kanë mohuar se një vdekje e tillë e mundshme ka ndodhur në anën e tyre të kufirit.

“Ambasada jonë në Hungari përmes rrugëve zyrtare ka komunikuar me autoritetet kufitare dhe një informacion i tillë është mohuar të paktën sipas tyre nuk ka ndodhur në anën hungareze të kufirit,” thuhet në komunikatë.

Ministria e Jashtme tregon se për këtë çështje janë kontaktuar edhe autoritetet e Beogradit, por sipas komunikatës ka vështirësi komunikimi me to.

“Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është duke komunikuar edhe me palën serbe për të marrë informacione nëse ngjarja është e vërtetë apo jo. Megjithatë, komunikimi me autoritetet serbe është vështirësuar edhe për shkak të kolonave të gjata që kanë ndodhur në pikat kufitare të këtij shteti nga ana e Kroacisë dhe Hungarisë,’ thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Ministria thotë se edhe në vazhdim do të informojë opinionin në lidhje me këtë vdekje të mundshme.

“Derisa MPJ nuk e konfirmon zyrtarisht rastin, ngjarja mbetet ende në nivelin e një lajmi të pakonfirmuar të publikuar nga mediat. Për çfarëdo zhvillimi të ri, MPJ do t’iu mbaj të informuar,” thuhet në komunikatë.

Në janarin e vitit 2015 në kufirin mes Serbisë e Hungarisë vdiq ferizajasi Ali Fetahu. Në atë kohë kosovarët u nisën me të madhe drejt Hungarisë nëpër Serbi me qëllimin për të arritur në shtet e fuqishme të BE-së.

http://kallxo.com/jahjaga-i-shkon-per-vizite-dhe-ngushellon-familjen-fetahu/