Tryeza për etikën | Foto: KALLXO.com

Morali mbi Kushtetutën

Veseli tha se institucionin nuk e bën demokratik as kushtetuta e as rregulloret administrative, por e bën baza morale. Sipas tij, çdo gjë rrjedh nga morali.

Veseli që hapi tryezën ku u diskutua për parimet e etikës parlamentare dhe integritetin joinstitucional, tha se çdo gjë rrjedh nga morali.

“Të flasësh për etikën parlamentare është e veçantë, për arsye se kemi pasur një kohë që e kemi kaluar jo të mirë, e jo të lehtë. Ka qenë përvojë, sado negative që ka qenë,” tha Veseli.

Pikërisht gjatë zhvillimeve të dhunshme në Kuvendin e Kosovës kur opozita hidhte gaz lotsjellës, ndërsa sigurimi nxirrte jashtë opozitarët, edhe Veseli reagoi shpesh me gjuhë joparlamentare.

Më 23 tetor 2015 ai iu drejtua një deputeti me fjalët “Çka po bërtet si grue e keqe”, ndërsa për fjalët joparlamentare që përdori, kërkoi menjëherë falje.

http://kallxo.com/grate-deputete-akuzojne-dhe-mbrojne-kadri-veselin/

Kreu i PDK-së në tryezën për etikën sot la anash edhe poltikën.

“Lëmë  pjesën politike për te dalë te ajo njerëzore. Ka pasur akuza (fjalë) për hajni e krim, e keqja është që ky sindrom po bartet në shoqëri civile, por askush nuk shkon në prokurori,” tha Veseli.

Në Kuvend shpesh gjatë seancave, sidomos në diskutimet jashtë rendit të ditës, ose gjatë replikave të njëpasnjëshme, deputetët përmendin pa ndonjë dëshmi, akuza të tilla të rënda.

Veseli tha gjithashtu se nuk e mohon që ka korrupsion, por se “qytetari pret adresim konkret për çështje konkrete”.

Më pas për besimin në politikë e parlament foli Aleksander Chavarria, drejtor i NDI në Kosovë.

Chavarria tha se ky besim ka rënë mënyrë të theksuar në tërë botën, jo vetëm tek ne.

“Por, përqendrimi ynë është që të rishikohet sesa të mbrohet integriteti i legjislaturës,” sugjeroi ai.

Derisa Chavarria fliste, takimi u mbyll për media.

Referuar agjendës, në këtë takim pritej të flisnin edhe Omar Ashmawy, drejtor dhe këshilltar i Zyrës për Etikë në Kongresin e ShBA-ve, James Hope, drejtor i Misionit të USAID në Kosovë, Rinor Beka e Rebecca Shot menaxherë programesh në NDI dhe Zenun Pajaziti, kryesues i Forumit për Transparencë Parlamentare.

Tryeza “Parimet e etikës parlamentare dhe integriteti institucional” u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit të Kongresit të SHBA-ve për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP), me mbështetjen e USAID-it.

Kuvendi pritet të krijojë Komision për Etikën Parlamentare, por nuk dihet nëse ky komision do të përbëhet nga deputetët e kësaj legjislature.