Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Mjeshtrit Dëshmojnë në Gjyqin për Shtëpinë e Huskajve

Tre mjeshtër ndërtimtarie kanë dëshmuar në procesin në të cilin Zyrafete Huskaj po kërkon hise në shtëpinë e tashmë ish-bashkëshortit të saj, Hasan Huskaj. Në Gjykatën e Pejës ata rrëfyen për punimet që i kanë kryer, kënd e kanë takuar dhe nga kush janë paguar për punët e kryera në shtëpinë e ish-çiftit në Lubeniq.

Naser Berbati tha se në shtëpinë në fjalë ka punuar në vitin 2005.

“Kam punuar dhe kam bërë mallterin e shtëpisë jashtë, pa fasadë. Ka qenë prill i vitit 2005, po data e saktë nuk më kujtohet. Pagesën ma ka bërë Hasani për lyrje 1,200 euro, ndërsa për dy dhoma në katin e parë që kanë qenë të palyme që i kam lyer edhe ato m’i ka paguar (Hasani) edhe 600 euro”, tha Berbati.

Tutje, në dëshminë e tij mjeshtri tha se ka njohur vetëm Hasan Huskajn, ndërsa ish-bashkëshorten e tij nuk e kishte takuar asnjëherë.

Dëshmitari tjetër ishte Agron Alimehaj. Ai tha se në shtëpinë e Huskajve kishte punuar para dhe pas luftës.

“Unë Hasanin e ngjoh nga fëmijëria dhe tek ai në shtëpi kam punuar nga viti 1992, ia kam mbaruar urën dhe kemi filluar me ndërtimin e themeleve të shtëpisë. Kam punuar edhe në podrum dhe katin e dytë, kam punuar në vitin 1993-1994 dhe Hasanin s’e kam pasë pa deri pas luftës ma”, tha dëshmitari.

Alimehaj gjatë dëshmisë theksoi së Zyrafeten e njeh nga gjimnazi dhe për herë të fundit e kishte parë para dy viteve në rrugët e fshatit Lubeniq.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe dëshmitari tjetër i propozuar nga pala mbrojtëse, Ramë Balaj, nga Strellci i Ulët.

81-vjeçi tregoi se kishte jetuar nga vitit 1999 deri në vitin 2009 në Norvegji dhe se Hasanin e Zyrafeten i kishte takuar atje disa herë. Gjatë kësaj përiudhe ai tha së Hasani kishte punuar vazhdimisht, kurse ish-bashkëshortja e tij, Zyrafetja, vetëm disa vite.

“Unë kam shkuar në vitin 1999 (në Norvegji) e jam kthyer në Kosovë në vitin 2009. Nja dy – tri vite para se mu kthye unë ka filluar me punu (Zyrafetja) në hotelin “Kaledonia”, tha dëshmitari.

Vërejtje në dëshminë e Agron  Alimehajt dhe Ramë Balajt pati avokati i palës paditëse, Faruk Binakaj.

Në këtë kontest pronësor ka dëshmuar edhe mjeshtri tjetër, Bedri Smakiqi.

Në dëshminë e tij, Smakiqi tha se kishte punuar tri herë në shtëpinë e Huskajve në fshatin Lubeniq.

Ai tha së gjatë kohës sa ishte duke punuar nuk e kishte parë Zyrafete Huskajn.

“Nuk e kam parë asnjëherë (Zyrafeten), vetëm e kam parë motrën dhe nënën e Hasanit”, tha ai.

Për deklaratën e dëshmitarit vërejtje paraqiti avokati i paditëses.

Gjatë seancës pala mbrojtëse dorëzoi dëshmi të reja për fillimin e procesit gjyqësor edhe në Norvegji, banorë të të cilit vend janë ish-çifti.

Ndërsa, dy dëshmitarët e propozuar nga pala paditëse, Azem Huskaj dhe Ahmet Shabani, në deklaratat e deponuara me shkrim te trupi gjykues kishin dhënë arsyet e tyre se nuk mund të dëshmojnë rreth kontestit në fjalë për shkak të lidhjes familjare me Hasan Huskajn.

Në këtë rast gjyqësor, Zyrafete Huskaj po kërkon në gjykatë njohjen e të drejtës për trashëgimi pronësore.

Ajo pretendon se e gjithë pasuria në Lubeniq, shtëpia dhe prona, u krijua edhe falë kontributit të saj.

KALLXO.com edhe me herët ka raportuar nga seancat e këtij rasti.

http://kallxo.com/mjeshtrit-te-deshmojne-ne-kontestin-per-shtepine/

http://kallxo.com/vajza-del-krah-nenes-ne-gjyqin-per-pronen/

http://kallxo.com/ish-bashkeshortja-kerkon-hisen-e-saj/

KALLXO.com ndoqi edhe raste tjera të kërkimit të së drejtës së pronës, të ngjashme me këtë të Zyrafete Huskajt.

Më 30 maj Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu Shukrije Berishës pronësinë në një të gjashtën e shtëpisë dhe një të dhjetën e oborrit.

Berisha kishte paditur kunetërit e saj pasi ishte përjashtuar nga e drejta e trashëgimisë.

http://kallxo.com/gjykata-verteton-pronesine-e-shukrije-berishes/

Edhe Shyhrete Berisha, e mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha në Suharekë në vitin 1999, në të cilën masakër ajo humbi burrin dhe fëmijët, është duke e kërkuar në gjykatë shtëpinë ku jetoi para se t’i vriteshin më të dashurit.

http://kallxo.com/shyhrete-berisha-nuk-e-pranon-banesen-ne-prishtine-kerkon-shtepine-e-vet/

KALLXO.com dhe “Drejtësia në Kosovë” kanë publikuar shkrime dhe publikime për përjashtimin nga trashëgimia të grave në Kosovë në emër të kanunit.

http://kallxo.com/interpretuesi-kanunit-shpjegon-te-drejten-e-grave-ne-trashegimi/

http://kallxo.com/falsifikuesit-e-trashegimise-te-pakapshem-per-noteret/