14 vjet përpjekje për drejtësi, Afërdita Statovci do ta padisë Gjykatën

Afërdita Statovci njihet në opinion si një grua e cila për pothuajse 14 vite pareshtur e kërkoi të drejtën e saj në trashëgimi.

 

Në moshën 10 vjeçare Afërditës i ka vdekur babai, i cili e la pas gruan e tij si dhe Afërditën si të vetmin fëmijë.

Betejën e saj ligjore në kërkim të njohjes së trashëgimisë Afërdita e ka filluar në vitin 2006, por që deri në vitin 2019 rasti i saj është endur nga njëra derë e Gjykatës në tjetrën pa marrë një epilog përfundimtar.

Afërdita ka treguar për KALLXO.com se si prej vitit 2006 e deri në vitin 2019, lëndën e saj e kanë gjykuar rreth 16 gjyqtarë.

“Unë në moshën 10 vjeçare mua më ka vdekur baba. Në vitin 2006 unë e kam bërë një padi për trashëgimi e cila ka zgjatur tre vjet deri në vitin 2009 dhe në vitin 2009 unë e kam marrë vendimin e formës së prerë. Por, mbas një kohe Gjykata në atë kohë kryetari i Gjykatës ma ka heq vulën e plotfuqishmërisë dhe lënda kthehet prapë në shkallën e parë dhe prej vitit 2006 deri në vitin 2019 unë jam përballë me shumë sfida të mëdha. Lënda shkon prej shkallës së parë në shkallë të dytë kthehet kështu që për rastin tim janë marrë 16 gjyqtarë për mua ka qenë një sfidë shumë e madhe”, ka treguar Afërdita.

Ajo ka treguar se çfarë e ka shtyrë që për 14 vjet të përballet me procedura gjyqësore.

“Ka pasur shumë momente që kam dashur me u dorëzu për shkaqe se në vitin 2009 unë kam mbetur edhe pa avokat për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Kam punuar deri në atë kohë, në atë kohë më është përkeqësuar shëndeti, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe nuk kam mundur të punojë dhe kam mbetur pa avokat. E falënderoj shumë shoqatën ‘CLARD’ të cilët e kanë marrë rastin tim dhe më kanë përfaqësuar se mos të kishin qenë përfaqësimet e tyre unë nuk kisha mundur të vazhdoj, sepse m`u kishin deshtë shumë mjete financiare të cilat nuk kisha mujt me i përballu”, ka deklaruar më tej Afërdita.

Përfaqësuesi ligjor i Afërdita Statovcit, Anton Nrecaj ka thënë se është për keqardhje që përkundër 14 viteve gjykim prapë se prapë Gjykata të mos jetë në gjendje që të jap një epilog përfundimtar.

“Këtu është për keqardhje sepse këtu është e papranueshme që një rast i  shqyrtimit të trashëgimisë të ballafaqohet ose të trajtohet në Gjykatë për 14 vite dhe në fund të mos ketë epilog me një aktgjykim ashtu siç duhet, kjo është e papranueshme dhe është një mesazh për përgjegjësit e institucioneve që të hartojnë politika sa më të mira që sistemi i drejtësisë të jetë më funksional”, është shprehur Nrecaj.

Nrecaj ka thënë se Afërdita është viktimë e sistemit të drejtësisë. Sipas tij Afërdita i është drejtuar institucioneve të drejtësisë për të kërkuar drejtësi por në fund ajo është bërë vetë viktimë e sistemit.

“E kemi edhe pjesën tjetër se si një qytetar i cili i drejtohet institucioneve të drejtësisë të kërkoj drejtësi nga personat me të cilët është në kontest dhe në fund vetë të jetë viktimë e sistemit të drejtësisë, ky është elementi të cilin ne nuk guxojmë ta pranojmë”, ka deklaruar Nrecaj.

Tutje ai ka paralajmëruar se nuk e kanë në plan që të ndalen me kaq pasi që janë duke planifikuar që të ushtrojnë padi ndaj institucioneve të drejtësisë lidhur me shkeljet procedurale me të cilat janë përballur gjatë trajtimit të rastit të Afërditës.

“Ne jemi duke përgatitur një strategji që të iniciojmë një padi kundër Gjykatës mbi bazën e shkeljeve të drejtave dhe lirëve të njeriut mos respektimit të konventës evropiane për mbrojtjen dhe lirive të njeriut në vend sepse konventa është obligative dhe detyruese që të zbatohet në praktikat e Gjykatës, ne në Kosovë nuk e kemi këtë praktikë. Rasti i Afërditës është rast unik, rast konkret që të krijohen praktika të mira të mos përsëritën të njëjtat praktika”, deklaroi Nrecaj.

Kronologjia e rrjedhës së rastit

Betejën e saj ligjore në kërkim të njohjes së trashëgimisë Afërdita e ka filluar në vitin 2006 me ç ‘rast ka kërkuar që ti njihej e drejta në ½ e pronës të cilën babai dhe xhaxhai i saj e kishin blerë në vitin 1975.

Tre vite më pas Gjykata Komunale e Prishtinës kishte marrë aktgjykim me anë të të cilit ja kishte aprovuar Afërditës padinë por ndonëse ky aktgjykim kishte marrë formën e prerë, disa muaj më pas Gjykata Komunale e Prishtinës ja kishte hequr klauzolën e plotfuqishmërisë këtij vendimi.

Kundër aktvendimit për heqjen e klauzolës pas ankesës së Afërditës, Gjykata e Qarkut në vitin 2010 e kishte kthyer rastin në rishqyrtim. Por në rishqyrtim të këtij vendimi prapë se prapë Gjykata Komunale e Prishtinës kishte marrë aktvendim që ndaj aktgjykimit të plotfuqishëm të hiqej klauzola e plotfuqishmërisë.

Në vitin 2012 Gjykata e Qarkut pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore vendos që çështja të kthehet në rigjykim në shkallë të parë. Ndërsa pas pothuajse 4 vitesh Gjykata e Prishtinës merr aktgjykim me anë të të cilit përsëri ja njeh të drejtën në trashëgimi Afërdita Statovcit.

Por pas ankesës së palës së paditur, në maj të vitit 2019 Gjykata e Apelit vendos që rasti të kthehet përsëri në rigjykim.

Duke u gjetur në një situatë të tillë që edhe pas pothuajse 14 vitesh çështja përsëri kthehet në pikën zero, palët në njëfarë forme detyrohen që pas kaq shumë vitesh të ulën e të ndërmjetësojnë që të vijnë deri tek një marrëveshje.

Shkeljet procedurale me të cilat pretendohet se u përfshi gjykimi i këtij rasti

  • Shkelja e parimit “res judicata”, sipas Anton Nrecaj parimi “res judicata” është parim themelor në sistemin e drejtësisë që një çështje kur gjykohet një herë dhe e merr formën e prerë ajo çështje nuk mund të gjykohet përsëri por që rastin e Afërdita Statovcit, Nrecaj deklaron se ndonëse me aktgjykimin e shkallës së parë të vitit 2009 Afërditës i njihet e drejta e trashëgimisë dhe i njëjti aktgjykim e merr formën e prerë, prapë se prapë Gjykata e prish aktgjykimin e plotfuqishëm dhe i gjithë procesi fillon rishtazi.
  • Trajtimi i lëndës prej më tepër se 16 gjyqtarëve, sipas Nrecaj këtë lëndë e kanë trajtuar më shumë se 16 gjyqtar dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë në gjendje që ta gjykoj si duhet këtë çështje duke bërë kështu që rasti disa herë të kthehet në rigjykim e çështja të mbetet e pa përfunduar.
  • Shkelje e të drejtave dhe lirëve të njeriut dhe mos respektim i konventës evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, me stërzgjatjen e gjykimit të këtij rasti Nrecaj pretendon se Afërdita Statovcit i janë shkelur të drejtat e saj për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.
  • Për pothuajse 14 vite mohim i të drejtës në trashëgimi, kjo për faktin se Afërdita Statovci pretendon se asaj për rreth 14 vite i është mohuar njohja e të drejtës së saj në trashëgimi.

Në vitin 2017, emisioni “Drejtësia në Kosovë”, transmetoi një emision gjatë të cilit u trajtua rasti i Afërditës Statovcit dhe përballja e saj me Gjykatën.

12 Vjet të Afërditës Për ta Marrë Pronën që ia la Babai

.