Foto: Ilustrim

Ministria e Informuar Gabimisht për ‘Easy Jet’

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se kompanisë ajrore,“Easy Jet Airlines” i është mundësuar hyrja në tregun e Kosovës për t’i shfrytëzuar të drejtat e trafikut ajror.

Sipas komunikatës së kësaj ministrie, kjo kompani ka orar të fluturimit nga data 27 mars.

“Hyrja e një kompanie ajrore nga Anglia në tregun kosovar, është e një rëndësie të posaçme. “Easy Jet Airlines”, operon me low cost (çmim të lirë) dhe do të ndikojë në zhvillimin konkurrues të aviacionit civil”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Por të kundërtën e asaj se çfarë e thotë Ministria e Infrastrukturës, e thonë zyrtarët nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Valentina  Gara, zëdhënëse e këtij aeroporti, thotë për KALLXO.com se kjo kompani është duke operuar në Kosovë qysh nga viti 2010.

“Easy Jet si kompani ajrore operon në tregun e Kosovës që nga viti 2010. Gjatë kësaj periudhe, Easy Jet dega në Zvicër, është duke operuar me 6 fluturime për Basel dhe me 4 fluturime për Gjenevë”, tha Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit.

Sipas saj, nga data 27 mars do të shtohet edhe një linjë e re e kësaj kompanie.

“Nga ky muaj do të fillojë me fluturime Easy Jet, dega ne Angli, ku do te ketë 3 fluturime për Berlin. Fluturimi i parë inaugurues për ketë destinacion do të jetë ditën e diel më 27 mars 2016”, tha ajo.

Për këtë kompani qysh në vitin 2009, kishte shkruar edhe BIRN.