Mësimi me ‘Reduktime’ i 10 Vjeçares me Sindromën Down

Olisa Aliaj nga fshati Zllapek i Pejës mund të shkojë në shkollë vetëm tri ditë të javës, ndërsa dy ditë të tjera ajo nuk mund ta vijon mësimin njëjtë sikurse nxënësit e tjerë.

Prindi i Olisës, e prekur me sindromën Down, Islam Aliaj, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike thotë se nuk ka mundësi të sigurojë transport për ta dërguar vajzën e tij në shkollën “Ramiz Sadiku” në Pejë.

Kurse Drejtoria e Arsimit në Komunën e Pejës, Olisës ia ka siguruar transportin për në shkollë vetëm tri ditë në javë.

Prindi 10 vjeçares tha për KALLXO.com se është i pakënaqur që vajzës se tij nuk i mundësohet ta vijojë çdo ditë procesin mësimor në shkollën fillore “Ramiz Sadiku” në Pejë.

“Jam duke kërkuar vazhdimisht në komunën një transport për vajzën. Deri me sot kurgjo nuk më kanë ofruar. Vjet na i kanë thanë disa mundësi, nja 250 litra (karburant) por nuk kanë mjaftuar, prandaj është dashtë në forca të mia”, tha ai për KALLXO.com.

Këto ditë Drejtoria e Arsimit në Komunën e Pejës e ka njoftuar se për tri ditët e javës mund t’ia sigurojnë transportin, por për dy ditë tjera jo, babai i Olises thotë se është i pakënaqur. Ai thotë se për shkak se vajza e tij është e prekur nga sindroma Down, ajo duhet pasur mësim plotësues e jo të mangët.

“Po them ma mirë tri ditë se hiç, po është një mungesë se vajza t’i humbë dy ditë mësim janë shumë të mëdha. Po i bien tri ditë me shku në shkollë, dy ditë jo, prapë jo tamon se nuk po mundet me arritë mësimin sa duhet”, thotë Aliaj.

Në anën tjerë, zyrtarët e Drejtorisë se Arsimit në Komunë të Pejës thanë për KALLXO.com se vitin e kaluar prindit të Olisa Aliaj i janë ndarë derivate për ta dërguar vajzën në shkollë.

Shqipe Karagjyzi, zyrtare e DKA-së në Pejë, tha për KALLXO.com se ketë vit prindi i Olisës, Islam Aliaj, nuk kishte pranuar t’i ndahen derivate për transportin e vajzës për në shkollë me arsyetimin se nuk posedon veturë.

“Ketë vit prindit të vajzës nuk i ka konvenuar ky lloj i kompensimit me derivate, por ka kërkuar transport, pasi që nuk posedon veturë. Drejtoria e Arsimit i ka ofruar z.Aliaj, pasi që operatori që vepron në relacione tjera do krijonte çrregullime dhe vonesa në orarin e fëmijëve tjerë me nevoja të veçanta, si mundësi e vetme ka qenë ofrimi i transportit me automjetin i cili është i lirë vetëm tri ditë në javë. Të hënën dhe të premten automjeti i bart fëmijët me nevojat e veçanta nga Qendrat Burimore për shtëpitë e tyre”, tha Karagjyzi për KALLXO.com

Për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike të familjes Aliaj, zyrtarja e komunës Karagjyzi bëri të ditur se për dy ditë tjera do mund të sigurohen derivate.

“Për dy ditët tjera, Drejtoria e Arsimit duke e pasur parakusht  gjendjen jo të mirë sociale të familjes, mund të bëjë kompensimin e atyre ditëve me derivate”, tha ajo.