Foto: KALLXO.com

Përfundon gjykimi i ish-kryetarit të Suharekës

Gjykimi i ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj, ka prekur fundin.

Në Gjykatën e Prizrenit sot është dhënë fjala përfundimtare.

Të enjten ish-kryetari i Suharekës do të mësojë vendimin e Gjykatës.

Aktgjykimi shpallet një vit e një muaj nga dita e ngritjes së aktakuzës.

Prokuroria e Prizrenit e akuzon Sali Asllanajn për tejkalim të kompetencave si kryetar i Komunës. Kjo, sipas aktakuzës, për t’u siguruar të tjerëve përfitim të dobisë pasurore.

Bashkë me Asllanajn po akuzohet edhe ish-drejtori i Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha, ndërsa në të njëjtën aktakuzë është i përfshirë edhe Milazim Hajdari, në cilësinë e drejtorit të ShFMU “Bajram Curri” të fshatit Nishor.

Sali Asllanaj kishte mohuar akuzat e Prokurorisë, duke u deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Mbrojtja e Sali Asllanajt kundërshton 33 provat materiale të prokurorisë

Data 19 nëntor e vitit 2018 ka qenë dita kur është mbajtur seanca e parë gjyqësore, ndërsa tash kur kanë kaluar më shumë se një vit, në seancën e fundit prokurorja e rastit Ervehe Gashi dhe mbrojtësit e të akuzuarve dhanë fjalën përfundimtare.

Prokurorja Gashi i tha trupit gjykues se gjatë shqyrtimeve gjyqësore nga ekspertiza dhe superekspertiza është vërtetuar që të akuzuarit janë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen.

Prokurorja tha se ish-kryetari i Komunës së Suharekës ka qenë përgjegjës dhe ka pasur obligim të menaxhonte me punët e Komunës ndërsa ish-drejtori i Arsimit ka pasur përgjegjësi për implementimin e projekteve në kuadër të Drejtorisë që udhëhiqte, ndërsa i njëjti në mënyrë verbale pa ndonjë vendim të shkruar ia ka bartur drejtorit të shkollës, të akuzuarit Milazim Hajdari, kompetencat për lëshim të vërtetimeve për transportin e nxënësve.

“Çdo shpenzim i parasë publike duhet të kalojë në procedurë të tenderimit”, ka thënë prokurorja Ervehe Gashi, e marrëveshja për bashkëfinancim e nënshkruar në mes të Komunës së Suharekës dhe një OJQ-je nuk e ka kaluar procedurën e tenderimit.

Komuna i ka këshilltarët ligjorë, të cilët ish-kryetari i Komunës së Suharekës dhe ish-drejtori i Arsimit është dashur t’i konsultojnë se cilat ligje është dashur të aplikohen në rastin konkret, shtoi ajo.

Pretendimet e prokurores i kanë kundërshtuar që të tre mbrojtësit e të akuzuarve, duke thënë se Prokuroria ka ngritur aktakuzë të pabazuar sepse në rastin konkret nuk ka pasur palë të dëmtuar dhe Komuna e Suharekës nuk është dëmtuar financiarisht.

Sehad Haliti, mbrojtësi i Sali Asllanajt, i tha trupit gjykues se duhet të shpallë aktgjykim lirues për ish- kryetarin e Suharekës, “sepse nuk është vërtetuar se i akuzuari ka shkaktuar dëm material me veprimet e tij”.

Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, ishte fjalëpak në fjalën përfundimtare. Ai nuk tha asgjë pos që u deklarua se e mbështet mbrojtësin e tij.

Avokati Brahim Sopa, i cili mbron ish-drejtorin e Arsimit, i tha Gjykatës se edhe zyrtari i Drejtorisë së Arsimit që kishte qenë dëshmitar para Gjykatës ka thënë se ish-drejtori Sherif Berisha me veprimet e tij nuk i ka shkaktuar dëm Komunës.

“Edhe në superekspertizë është konstatuar se në asnjë veprim nga të akuzuarit nuk i është shkaktuar dëm Komunës së Suharekës”, tha avokati Sopa.

Ndërsa avokati Blerim Bajrami i tha Gjykatës se i akuzuari Milazim Hajdari, që ka qenë drejtor shkolle për kohën kur akuzohet se ka kryer veprën penale, nuk ka qenë person zyrtar dhe me asnjë provë nuk është e vërtetuar se i njëjti ka kryer ndonjë vepër penale.

Trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Artan Sejrani caktoi ditën e enjte, 12 dhjetor, për shpalljen e aktgjykimit.