
Dështon seanca gjyqësore ndaj ish-kryetarit të komunës së Suharekës
Mungesa e dy dëshmitarëve dhe e një gjyqtareje për arsye shëndetësore, e shtynë gjykimin ndaj ish-kryetarit të komunës së Suharekës, Sali Asllanaj.
Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, bashkë me ish-drejtorin e Arsimit, Sherif Berisha, dhe një drejtor i shkollës Milazim Hajdari po përballen me akuzat e prokurorisë lidhur me nënshkrimin e kontratave pa procedurë tenderimi.
Sot ishte e paraparë që të paraqitej super-ekspertiza financiare, e cila është urdhëruar nga ana e Gjykatës për shkak të dallimeve të dy ekspertizave të mëparshme.
Kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani njoftoi të akuzuarit dhe prokuroren që seanca do të shtyhet për datën 26 shtator, sepse një anëtare e trupit gjykues për shkaqe shëndetësore ishte në pushim mjekësor, si dhe në gjykatë nuk ishin paraqitur edhe dy dëshmitarët Bashkim Bytyqi dhe Berat Gegaj.
Mbrojtja e Sali Asllanajt kundërshton 33 provat materiale të prokurorisë
Tre të akuzuarit, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar.
Në seancën e parë gjyqësore Sali Asllanaj dhe dy të akuzuarit tjerë kishin mohuar fajësinë për veprat penale që u ngarkohen.
Ish-drejtori i Sali Asllanajt ‘nuk ka para’ për avokat, kërkon një nga gjykata
Në lidhje me këtë rast, Asllanaj ishte deklaruar për KALLXO.com duke theksuar se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme pasi, sipas tij, komuna e ka pasur për detyrë të sigurojë transportin e nxënësve të fshatit Nishor.
“Prokuroria e ka hapur këtë rast për një kontratë me një OJQ në lidhje me transportin e nxënësve të fshatit Nishor. Unë mendoj se hapja e kësaj aktakuze është e paqëndrueshme sepse ne e kemi pasur për detyrë t’i sigurojmë transportin këtyre nxënëse nga fshati”, kishte thënë ai.