
Arkiv: Sali Asllanaj ne Debat Pernime foto KALLXO.com
Apeli vërteton pafajësinë e Sali Asllanajt, ish kryetar i Suharekës
Gjykata e Apelit ja ka vërtetuar pafajësinë Sali Asllanajt, ish-kryetarit të Komunës së Suharekës i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nga akuzat ishin liruar edhe ish – drejtori i Arsimit Sherif Berisha dhe Milazim Hajdari, drejtor i shkollës SHFMU “Bajram Curri“.
Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria e Prizrenit kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me kërkesën për ndryshim të aktgjykimit, por që një ankesë të tillë, Apeli e ka refuzuar duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit.
Në lidhje me këtë rast, Asllanaj ishte deklaruar për KALLXO.com duke theksuar se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme pasi, sipas tij, komuna e ka pasur për detyrë të sigurojë transportin e nxënësve të fshatit Nishor.
“Prokuroria e ka hapur këtë rast për një kontratë me një OJQ në lidhje me transportin e nxënësve të fshatit Nishor. Unë mendoj se hapja e kësaj aktakuze është e paqëndrueshme sepse ne e kemi pasur për detyrë t’i sigurojmë transportin këtyre nxënëse nga fshati”, kishte thënë ai.
Bashkë me Asllanajn, nga aktakuza janë liruar edhe Hajdari dhe Berisha.