
Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj | Foto: KALLXO.com
Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Suharekës
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Sali Asllanajt, ish- kryetar i Suharekës, dhe dy zyrtarëve tjerë – Sherif Berishës, ish- drejtor i Drejtorisë për Arsim në Suharekë dhe Milazim Hajdarit, drejtor i ShFMU “Bajram Curri” të Nishorit.
Tre të akuzuarit, sipas aktakuzës, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Mbrojtësit e të akuzuarve kishin paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës nga Gjykata Themelore të Prizrenit.
https://kallxo.com/mbrojtja-e-sali-asllanajt-kundershton-33-provat-materiale-te-prokurorise/
Data 27 shkurt do të jetë dita kur Sali Asllanaj, ish – kryetar i Suharekës, tash këshilltar në Asamblenë Komunale, bashkë me dy të akuzuarit tjerë do të paraqiten para trupit gjykues, për t’u përballur me aktakuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Gjyqtari i rastit, Artan Sejrani, me aktvendim të posaçëm, i kishte refuzuar kërkesat e mbrojtësve, e ndaj vendimit të Gjykatës Themelore avokatët Brahim Sopa dhe Blerim Bajrami, kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Tashmë kur Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e avokatëve, është vërtetuar aktakuza ndaj Sali Asllanajt, Sherif Berishës dhe Milazim Hajdarit.
Tash çështja do të shkojë në gjykim kryesor, ku do të ftohen dëshmitarët e propozuar nga prokuroria dhe do të vlerësohen e administrohen provat e aktakuzës nga ana e Prokurorisë Themelore Prizren.
https://kallxo.com/provat-e-prokurorise-per-zyrtarin-e-larte-te-ldk-se/
Në lidhje me këtë rast, Asllanaj ishte deklaruar për KALLXO.com duke theksuar se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme pasi, sipas tij, Komuna e ka pasur për detyrë të sigurojë transportin e nxënësve të fshatit Nishor.
“Prokuroria e ka hapur këtë rast për një kontratë me një OJQ në lidhje me transportin e nxënësve të fshatit Nishor. Unë mendoj se hapja e kësaj aktakuze është e paqëndrueshme sepse ne e kemi pasur për detyrë t’i sigurojmë transportin këtyre nxënëse nga fshati”, kishte thënë ai.
https://kallxo.com/sali-asllanaj-aktakuza-ndaj-meje-e-paqendrueshme/
www.kallxo.com