Liria e Paplotë pa Ukshin Hotin në Krushë

Në këtë fshat më 25, 26 e 27 mars nga forcat serbe u vranë 241 persona, ndërsa kjo masakër është ndër më të mëdhatë gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Krushës së Madhe Selman Hoti thotë për KALLXO.com se jeta në këtë fshat edhe 17 vjet pas krimit të tmerrshëm po vazhdon me dhimbjen për 63 të pagjeturit e tij.

“Jeta në Krushë pas masakrës vazhdon të lulëzojë, vazhdon të punohet me amanetin e të rënëve që të dërgohet në vend, sepse ata kanë rënë për lirinë të cilën sot ne e gëzojmë. Liri e cila nuk është e plotë pasi që në Krushë nuk janë të identifikuar edhe 63 persona në krye me arkitektin e pavarësisë së Kosovës, profesorin Ukshin Hoti i cili ende është i pagjetur,” thotë Hoti.

Ai tregon se krushjanët nuk janë të kënaqur me përkujdesjen e shtetit për ta.

“Institucionet janë munduar ta bëjnë të veten në format dhe mundësitë që ata i quajnë buxhetore apo administrative. Ne si fshat nuk jemi të kënaqur me të gjithë ato që janë bërë me vite të tëra nga qeveria,” thotë Hoti.

Më 26 mars 1999 në shtëpinë e Shaban Durakut forcat serbe vranë e më pas djegën 45 persona.

Avdi Duraku që e pa vrasjen dhe më pas djegien e këtyre personave ndjen dhimbje që nuk mundi t’u ndihmojë.

“Nga masakra e 26 marsit unë kam qenë larg shtëpisë nja 100 metra, shtëpia është djegur me të gjithë njerëzit brenda të cilët janë sjellë të gjallë dhe janë ekzekutuar dhe më pas shtëpinë e kanë djegur. Unë jam munduar ta shuaj, por nuk ka pasur mundësi se kanë hedhur lëndë djegëse,”rrëfen Duraku.

Në shkurt të këtij viti Emisioni “Drejtësia në Kosovë”  transmetoi hulumtimin për zhdukjen e gjurmëve të masakrës së vitit 1999 në Krushë të Madhe të Rahovecit dhe mospunën e organeve shtetërore në lidhje me mbledhjen e provave për këtë masakër.

Atëherë “Drejtësia në Kosovë” tregoi se Shaban Duraku, në shtëpinë e të cilit ndodhi një pjesë e masakrës, kishte vendosur t’i rrënojë gërmadhat e saj të mbetura pas djegies.

http://kallxo.com/zhdukja-e-madhe-ne-krushe-te-madhe/