Zhdukja e Madhe në Krushë të Madhe

Pasi ka pritur hetuesit për 17 vjet rresht, Shaban Duraku nga Krusha e Madhe ka vendosur që t’i rrënojë muret e shtëpisë gërmadhë.

45 civilë ishin vrarë e djegur në shtëpinë e tij më 26 mars 1999 nga forcat serbe në mesin e 241 fshatarve që u vranë në këtë fshat. Për fatin e 63 të vrarëve të këtij fshati ende nuk dihet asgjë.

Shtëpia e Durakut është e vetmja gjurmë e mbetur në vargun e shumë shtëpive në të cilat kanë ndodhur vrasjet e të cilat nuk figurojnë më.

Ato janë shkatërruar për t’u ndërtuar objekte të reja, që nga ditët e para të pasluftës.

“Kemi pritur prej komunës diçka, prej qeverisë, asgjë s`na kanë pru. Kanë ardhur, jo po ofrojmë sot, jo po ofrojmë sot, mirëpo që 17 vite s’erdh askush me marrë masa. Tani po dua me e prish shtëpinë, sepse s`po kam hapësirë, ngusht, s`po kam çka me bo këtu”, tha ai për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

“Boll kam prit që 17 vite, s`ka marrë masa kërkush dhe unë tash kam vendos dua me e prish. Boll më dhimbet se humbin gjurmët, por kam prit boll”, tha Shaban Duraku.

Avdi Duraku, dëshmitar i vetëm i masakrës që ndodhi në shtëpinë e fqinjit të tij Shabanit, thotë se janë bërë 17 vjet dhe këtë shtëpi askush nga institucionet përgjegjëse, Policia, Prokuroria nuk e kanë vizituar.

“As nga drejtësia ndërkombëtare nuk ka pas diçka të qartë për këtë çka ka ndodhur këtu, por as institucionet tona asnjë gjë nuk kanë bërë për këtë. Kanë kaluar tani 17 vite dhe asnjeri nuk është interesuar që së paku ta mbrojmë nga shkatërrimi”, ka thënë Avdi Duraku.

Ai thotë se pas përfundimit të luftës ky objekt është ruajtur nga trupat e KFOR-it derisa ekspertët e Tribunalit të Hagës i kanë kryer punën e tyre.

Mirëpo, sipas tij ajo ka zgjatur vetëm dhjetë ditë dhe që nga ajo kohë askush më nuk është interesuar për shtëpinë e cila i fsheh gjurmët e krimit ku u vranë dhe u dogjën 45 persona.

Avdiu ka deklaruar për “Drejtësia në Kosovë” se është i gatshëm edhe pasurinë ta “shkrijë” që kjo shtëpi të mos rrënohet.

“Unë si dëshmitar vdes, dëshmitarët vdesin. Objekti këtu flet vetë”, thotë ai.

Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, institucionet përgjegjëse si Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, nuk e kanë vizituar këtë shtëpi edhe pse që nga qershori i vitit 2014 Prokuroria e Kosovës ka marrë detyrën e hetimit dhe ndjekjes së krimeve të luftës.

Prokurorë vendorë do jenë përgjegjës për hetimin e masakrave dhe tërë asaj çfarë ndodhi në luftën e fundit.

Në një përgjigje të shkurtë me shkrim, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi nuk ka treguar se pse nuk është vizituar shtëpia e Shaban Durakut, vendi ku janë vrarë dhe djegur 45 persona.

Ajo vetëm ka konfirmuar se kjo prokurori në Krushë të Madhe janë duke zhvilluar hetime për krime lufte.

“Ju informoj se lidhur me këto vrasje pranë PSRK-së, janë duke u zhvilluar hetimet për krime lufte”.

Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë ekziston një Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

krusha e madhe

Themelimi këtij instituti me vendim të ministrit të Drejtësisë është bërë me qëllim të mbledhjes, sistematizimit, përpunimit dhe publikimit të dhënave për krime kundër paqes, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera në Kosovë gjatë vitit 1998, deri në qershor të vitit 1999.

Por, as ky institucion nuk është në dijeni se në Krushë të Madhe nuk ka mbetur pothuaj asgjë prej shtëpive ku u vranë dhe u dogjën qindra persona, përveç shtëpisë së Shaban Durakut, të cilën ky i fundit na tha se do ta rrënojë.

“Ne me keqardhje e kemi marrë këtë njoftim, por përgjegjës për mbrojtjen e këtyre objekteve është Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve. Me këtë rast u bëjmë thirrje organeve kompetente që në marrëveshje me pronarët e objektit të marrin masa urgjente për ta marrë nën mbrojtje dhe përkujdesje shtetërore, sepse me shkatërrimin e këtij objekti, do të asgjësoheshin edhe dëshmitë dhe provat tepër të rëndësishme të vendit të masakrës, kur dihet se ende përgjegjësit e kësaj masakre nuk janë sjellë para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Institutit për hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Vetëm pas interesimit të ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Ismet Salihu, drejtor i instituti e  konfirmoi vizitën e një ekipi të këtij organi në shtëpinë e Shaban Durakut në fshatin Krushë e Madhe.

“Pas njoftimit që kemi marrë nga ju, ne kemi vizituar Krushën e Madhe dhe kemi biseduar me pronarin e shtëpisë dhe kryesinë e fshatit që ai objekt të mos shkatërrohet. Tani kemi mbetur me bisedu edhe me kryetarin e komunës për me gjetë mundësinë që ai objekt të mos rrënohet”, ka thënë për “Drejtësia në Kosovë”, drejtori i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Lutës Ismet Salihu.

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës nuk e di se në Krushë të Madhe të Rahovecit nuk ka mbetur asnjë objekt ku janë kryer krime përveç shtëpisë së Shaban Durakut.

“Ne këtë fshat ne nuk kemi në mbrojtje tonën asnjë shtëpi. Për këtë fshat e dimë që MMPH ka ndërtuar varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve. Realisht ne nuk jemi në dijeni për këto shtëpi, e dimë qe aty në fshat janë bërë masakra të mëdha, por saktësisht për shtëpinë nuk kemi njohuri cila është apo ku gjendet. Mendimi jonë është se ajo shtëpi duhet të jetë nën mbrojtje dhe nuk guxon te rrënohet, por për këtë duhet të definohet saktë ne kompetence te cilit institucion bije kjo shtëpi dhe te merret me çështjen e ruajtjes”, thuhet në përgjigjen e Adnan Elshanit, nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

[interaction id=”56cb2deae5be274a1fd4437e”]