Limaj: Do ta Rrëzojmë Qeverinë Mashtruese

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, u tha protestuesve se opozita në Kosovë do ta largojë nga skena atë që ai e quajti qeveri të mashtrimit të kosovarëve.

“Që nga dita e parë, kjo qeveri në vend se të punojë për ta ndryshuar gjendjen, ajo përpiqet për ta mashtruar dhe gënjyer qytetarin”, tha Limaj para protestueseve të mbledhur përballë ndërtesës së qeverisë së Kosovës.

“Ditët e fundit kanë nisur ta shesin para popullit një pazar: po i marrim vizat e po japim tokë. Por ne i meritojmë vizat, por tokën nuk e japim”, tha Limaj.

Pavarësisht se Vetëvendosje nuk është më pjesë e opozitës së bashkuar, Limaj tha se koalicioni aktual qeveritar “do ta ketë gjithmonë përballë një opozitë të bashkuar”.

“Sot asnjëherë me keq nuk kanë qenë shëndetësia e arsimi në Kosovë, asnjëherë më pak nuk ka pasur investime në Kosovë. Kjo është një politikë mashtruese”, tha Limaj.