Foto: CNN/West Mercia Police

Lëndohet rëndë një trevjeçar nga një sulm me acid në Britani të Madhe

Një djalë trevjeçar është plagosur rëndë në një sulm të dyshuar me acid në një dyqan në qytetin anglez të Worcester, ka thënë policia, raporton CNN.

Djali mbeti me djegie të rënda në fytyrë dhe krah pas asaj që policia beson që ishte një “sulm i qëllimshëm” në dyqanin e “Home Bargains”, të shtunën pasdite.

Një 39 vjeçar nga qyteti i afërt i Wolverhampton është arrestuar nën dyshimin se ka përgatitur komplot për të bërë dëm të rëndë trupor.

Ai mbetet në paraburgim, ka thënë policia lokale e Mercia-s në një deklaratë.

“Në këtë kohë ne po e trajtojmë këtë si një sulm të qëllimshëm mbi një djalë trevjeçar”, tha në një deklaratë shefi i policisë së West Mercia.

“Incidenti ka tronditur me të drejtë komunitetin lokal dhe do të dëshiroja të siguroja njerëzit lokalë se po bëjmë një hetim për të identifikuar ata që janë përgjegjës dhe çfarë është substanca e përfshirë.”