Çerdhja "Shkronjat" - Foto: Kallxo.com

Lagjja “Arbëria” Bëhet me Çerdhe

Në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit sot është bërë inaugurimi i çerdhes “Shkronjat”, që është projekt i përbashkët i Komunës së Prishtinës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian.

Zëvendësshefi për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Libor Chlad, tha që projekti “Kosova e bukur” nuk është vetëm për zbukurim, por edhe për implementimin e gjërave që janë të prekshme, si shkollat dhe çerdhet.

“Shpresoj që kjo shkollë do të përmbush nevojën për këtë pjesë të kryeqytetit të Prishtinës dhe do ta përdorin nëmënyrën më të duhur”, tha ai.

Zyrtari evropian theksoi po ashtu se ky projekt përveç tjerash ofron edhe punësim.

“Në këtë rast, në ndërtimin e këtij kopshti, shumë individë kanë gjetur punë për ndërtimin e këtij projekti, por shpresoj se do të punësohen edhe disa të tjerë”, tha Chlad.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha që nuk ka kënaqësi më të madhe se në lagjen “Arbëria” të hapet çerdhja e parë me bazë në komunitet.

“Kjo është çerdhja e katërt me bazë në komunitet. Besoj që deri në fund të vitit dhe në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të hapen edhe tri të tjera”, tha Ahmeti.

I pari i Prishtinës shtoi se këto çerdhe po e marrin modelin zviceran dhe gjerman të qeverisjes së çerdheve, ku prindërit janë ata të cilët i marrin vendimet kryesore.

“Është e rëndësishme që prindërit janë pjesëmarrës dhe bashkëpjesëmarrës në vendimmarrje, e shohin si funksionon një çerdhe nga aspekti financiar dhe cilat janë përmirësimet që duhet të bëhen”, shtoi Ahmeti.

Implementimi i modelit të çerdheve me bazë në komunitet filloi me hapjen e çerdhes në lagjen “Mati 1” dhe vazhdoi me hapjen e çerdheve në Hajvali dhe Besi.

Gjatë ditës, Komuna e Prishtinës do të vërë gurin e themelit të çerdhes për fëmijë në lagjen “Kodra e Trimave”.