Shefja e Zyrës së BE-së në takim me drejtues të Vetëvendosjes - Foto: Facebook

Kurti e Konjufca Takojnë Shefen e Zyrës së BE-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, janë takuar sot me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në këtë takim sipas komunikatës së lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje është diskutuar për zhvillimet politike në vend, gjendjen socio-ekonomike dhe për sfidat drejt integrimit të Kosovës.

“Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në institucionet e Kosovës, për gjendjen socio-ekonomike në vend dhe për sfidat e shtetndërtimit dhe integrimit. Kurti dhe Konjufca shprehën qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s për shtet të së drejtës dhe vizion ekonomik të përqendruar në punësim. Të dy palët u pajtuan për rëndësinë e reformave për integrimin e Kosovës në BE gjë që do të rriste si rregullsinë dhe ligjshmërinë, po ashtu edhe bashkëpunimin ekonomik e shoqëror”, thuhet në komunikatën e VV.

KALLXO.com të premten shkroi për takimin që Kurti dhe Konjufca kishin zhvilluar në Zyrat e BE-së në Prishtinë, ku sipas zëdhënëses Tinka Kurti është diskutuar për kontratën që Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

http://kallxo.com/kurti-dhe-konjufca-takojne-zyrtaret-e-se-per-kontraten-contour-global/

Shefja e Zyrës së BE-së gjatë ditës është takuar edhe me zyrtarë të LDK-së.