Kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku

Kryeprokurori: Është Gjallë Nëna së Cilës iu Mbyt Foshnja

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit Jetish Maloku kur foli sot për KALLXO.com, demantoi lajmin e plasuar nëpër medie se ka vdekur gruaja së cilës iu mbyt foshnja në Viti.

“Nana është gjallë. Nëse kanë thanë që ka vdekë është gabim, nana është gjallë, demantojeni lirisht”, tha Maloku.

Policia në raportin e saj të sotëm 24 orësh njoftoi se dje është arrestuar një person- shtetas i Maqedonisë nën dyshimin se ka vrarë foshnjën e tij të sapolindur të gjinisë femërore.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë pasi që, i njëjti dyshohet se ka privuar nga jeta viktimën-foshnje e porsalindur (e gjinisë femërore duke e hedhur në një përroskë-në ujë afër shtëpisë)”, thuhet në raportin e policisë.

As në raportin policor nuk thuhet se nëna e foshnjës ka vdekur.

Arrestimin e të dyshuarit për vrasje të foshnjës e konfirmoi edhe kryeprokurori Maloku.

Sipas Malokut, i dyshuari ka thënë se nuk e dinte që gruaja e tij ishte shtatzënë.

“Babai i foshnjës është ndaluar. Dyshohet se babai është shkaktari. I dyshuari në deklaratën e tij ka theksuar se nuk e ka ditë fare që gruaja është shtatzënë. i njëjti i ka dy gra, andaj po dyshojmë se ka diçka këtu”, tha prokurori Maloku.

Ai tregoi se për mbytjen e  foshnjës nuk është intervistuar nëna e saj.

“Nanën nuk e kemi ndaluar pasi që është nën tronditje. Nana nuk din, kurrgjë nuk I kujtohet, s’kemi mujt me intervistu”, tha kryeprokurori.

KALLXO.com shkroi sot për këtë rast të rëndë.