Një zhvarrim i mëparshëm i viktimave të operacionit "Stuhia" në Gornje Selishte më 2015. Foto: Ministria kroate e veteranëve të luftës.

Kroacia Zhvarros 18 Viktima Serbe të Operacionit ‘Stuhia’

Ka përfunduar zhvarrimi i eshtrave të 18 viktimave të operacionit “Stuhia” nga një varrezë lokale në Zarë, bëri të ditur Komisioni për personat e zhdukur i Qeverisë serbe.

Zhvarrimi i eshtrave të serbëve të Kroacisë, që vdiqën gjatë dhe menjëherë pas operacionit ushtarak kroat “Stuhia” në gusht të vitit 1995, kishte filluar të hënën.

“Ky proces zhvarrimi është i një rëndësie të veçantë për familjet e personave të zhdukur, të cilët për vite me radhë janë përpjekur të gjejnë dhe të varrosin si duhet eshtrat e njerëzve të tyre të dashur”, tha në një deklaratë Komisioni serb për personat e zhdukur.

Gjatë operacionit “Stuhia”, forcat kroate rimorën kontrollin e mbi 18 për qind të territorit të vendit që ishte mbajtur nga serbët rebelë që nga viti 1991.

Operacioni i dha fund luftës në Kroaci, por shkaktoi gjithashtu vdekjen e rreth 600 civilëve serbë dhe bëri që rreth 200,000 njerëz të largoheshin nga vendi.

Trupat e varrosur në varrezën e Zarës u vendosën aty nga autoritetet kroate pas operacionit “Stuhia”, në një varr kolektiv të shënuar.

Nga eshtrat janë marrë kampione që të mund të bëhen analizat e ADN-së, me qëllim identifikimin e tyre.

Zhvarrosja është vazhdimësi e përpjekjeve të mëparshme për të nxjerrë eshtra të viktimave të luftës në varrezën e Zarës. Në vitin 2013 atje u zhvarrosën 56 trupa.

Ka edhe 1,571 persona ende të listuar si të zhdukur nga lufta në Kroaci në vitet 1990.