Kriza në Veri: Serbët nuk blejnë në dyqanet e shqiptarëve

Që nga dita e hënë e 23 qershorit 2019 në “Lagjen e Boshnjakëve” në veriun e Mitrovicës është duke u vërejtur qarkullimi i paktë i serbëve të veriut.

Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë është e populluar me popullatë të përzier të të gjithave komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Bashkim Cimili asamblist në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, tha për Kallxo.com nëpërmjet telefonit se produktet në lagjet me popullatë të përziera në Mitrovicës e veriut nuk mungojnë, mirëpo sipas tij ai ka dëgjuar shqetësimet e pronarëve shqiptarë të dyqaneve që këto ditët e fundit ka mungesë të konsumatorëve.

Pronarët shqiptarë të bizneseve që operojnë në atë pjesë e që nuk duan të flasin para kamerave për shkak të frikës, prapa tyre kanë thënë se është dita e tretë apo e katërt që puna ka rënë me të madhe në lokalet e tyre.

“Po shumë ma pak shitje nuk vjen askush e kanë ndalua me ardh me ble sende nga shqiptarët gjithashtu edhe qarkullim nuk ka hiç përveç banorëve që jetojnë këtu”, tha një pronar i një dyqani.

Edhe një pronar tjetër i një dyqani prapa kamerave tha se ka mungesë të konsumatorëve.

“Që tri ditë vërehet  jo pak po shumë kanë dërguar edhe letra në çdo shtëpi që askush mos me ble produkte të shqiptarëve në lagjen e boshnjakëve apo diku tjetër këtu në Mitrovicë”, thotë ky pronar i një dyqani tjetër.

Mungesën e konsumatorëve serbë në pjesët ku shiten produktet e shqiptarëve në Mitrovicës po e vërejnë edhe taksistët. Shaban Sefedini tha se ka tri ditë që është zvogëluar qarkullimi i serbëve në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe pjesët tjera.

“Unë jam taksist prej ETC-së në veri ma shumë punoj, puna është ra që nja tri apo katër ditë me të madhe, po nuk vinë është send që shihet,  shihet mungesa çdo pjesë këtu në Mitrovicë që jemi. Ne i bartim edhe në jug edhe në veri është diçka që njëfarë heshtje nuk po mund të kuptojmë pse edhe në veri”, theksoi  Sefedini.

Gjithashtu  banorët e tjerë të “Lagjes së Boshnjakëve” thonë së të ashtu quajturit “Të fortët e Veriut” banorëve serbe në veri u kanë dërguar letra në shtëpitë e tyre që mos të blejnë produkte nga shqiptarët.

https://kallxo.com/pacolli-nuk-ka-krize-humanitare-ne-veri-qe-nga-viti-1999/

https://kallxo.com/rasim-lajiq-serbia-do-te-perpiqet-te-furnizoje-popullaten-ne-kosove/

.