Kosova uron shqiptarët e bashkuar për fitoren në Tuz

Zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës kanë uruar shqiptarët për fitoren në zgjedhjet në komunën e Tuzit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë shqiptarët për fitoren në Komunën e Tuzit në Mal të Zi.

Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se kur bëhen bashkë shqiptarët, gjithmonë fitojnë dhe arrijnë aty ku duan.

“Fitorja e sotme e shqiptarëve në Tuz është mesazh për shqiptarët kudo që janë: Kur bëhemi bashkë, arrijmë aty ku duam. Gjithmonë. Urime!”, ka shkruar Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj, ka shkruar se bashkimi i shqiptarëve në një koalicion ua dha të drejtën shqiptarëve të qeverisin me Tuzin.

“Bashkimi në koalicion i subjekteve politike shqiptare, fitoi të drejtën për të qeverisur me Tuzin. Një shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksesin. Urime shqiptarëve të Tuzit për këtë fitore historike!”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Për fitoren në Tuz, shqiptarët i ka uruar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Sonte Malësia ka fituar! Shqiptarët, të bashkuar si kurrë më parë, kanë votuar koalicionin ”Malësia na bashkon”. Urime të gjithë malësorëve, dhe shqiptarëve kudo!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.