Kosova me Projekt për Arsim dhe Punësim

Projekti KEEN ka për qellim përmirësimin e punësimit të grupeve në nevojë në Kosovë dhe përfshirjen e tyre në sektorin e arsimit dhe tregut të punës.

Udhëheqësi i Sektorit për Bashkëpunim nga Bashkimi Evropian Christof Stock tha që është lajm i mirë që tema dhe projekte të tilla trajtohen nga shoqëria civile.

“Duhet te punojmë se bashku t’i përjashtojmë ndryshimet sociale, t’i adresojmë problematikat e papunësisë dhe t’i japim çdonjërit mundësi të barabartë të punës,” tha Stock.

Ndërkaq ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha që projekti është ambicioz dhe është diçka që i duhet Kosovës.

“Gjate vitit të kaluar jemi munduar që të bëjmë projekte për grupet e margjinalizuara, por është goxha sfiduese, sepse problemet janë shtresuar dhe Institucionet nuk mund t’i bëjnë vetë, prandaj është e rëndësishme që të kemi përkrahje, sidomos nga Bashkimi Evropian, siç ka ndodhur edhe me këtë projekt,” tha Abrashi.

Ministri i Arsimit Arsim Bajrami tha që Kosova ka nevojë për arsim cilësor që do t’ua bënte më të lehtë të diplomuarve hyrjen në tregun e punës.

“Ne kemi nevojë për arsim cilësor për punësim, sepse arsimi s’ka munguar në Kosovë, por ka munguar arsimi cilësor. Nëse kemi arsim cilësor nuk e vërtetojnë as diplomat e as numri i studentëve, por e vërteton punësimi dhe kënaqja e pronarëve të bizneseve me shkathtësitë e studentëve,” tha Bajrami.

Ndërkaq Agron Hajdari nga Agjencia e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë tha që ata kjo agjenci po mundohet të jetë aktive në fushën e aftësimit profesional.

“Kemi filluar një bashkëpunim me organizata gjermane dhe Ministrinë e Punës dhe vetëm këtë verë 60 ose 70 studentë do të shkojnë në Gjermani për punë,” tha ai.

KEEN është koalicioni strategjik i katër organizatave të shoqërisë civile të cilat angazhohen në fushën e arsimit, punësimit dhe politikave sociale.

Ky është projekti i 10-të me radhë i “Rrjetit të Kosovës për Arsim dhe Punësim”.