Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Kosova dhe Kolumbia vendosin marrëdhënie diplomatike

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka mirëpritur një letër të pranuar nga homologu i tij nga Republika e Kolumbisë, Carlos Holmes Trujillo Garcia, nëpërmjet së cilës ai njoftohet mbi dekretin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy shteteve, veprim ky që mundëson komunikimin e përhershëm të nivelit më të lartë në mes dy vendeve me shkëmbimin edhe të ambasadorëve.

Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kjo letër pason pas një takimi që Pacolli kishte zhvilluar me ministrin e jashtëm të Kolumbisë, Carlos Holmes Trujillo Garcia, në pjesën e parë të muajit shkurt në Uashington D.C.

“Pas takimit me ministrin e jashtëm të Kolumbisë, Carlos Holmes Trujillo Garcia, muajin e kaluar, Kosova dhe Kolumbia kanë vendosur marrëdhënie diplomatike nëpërmjet shkëmbimit të Ambasadorëve. Kosova do të hapë Ambasadën e saj me qëndrim në Bogota dhe Kolumbia do të emërojë Ambasador jo-rezident nga Italia”, ka thënë Pacolli.

Nëpërmjet hapjes së Ambasadës rezidente në Bogota, Republika e Kosovës synon mbulimin dhe përfaqësimin jo-rezident diplomatik edhe në shtete të tjera në atë kontinent./21Media