Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett

Kosnett: Situata pas dorëheqjes do të tregoj forcën e insitucioneve

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett ka reaguar pas situatës së zhvilluar në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Ai ka shkruar në një postim në Twitter se është duke përcjellë nga afër se di do të trajtohet situata pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Si do të trajtohet kjo do të tregojë forcën e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për t’iu përmbajtur kushtetutës dhe ligjeve”, ka shkruar Kosnett.

Me 19 korrik, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, në konferencë para gazetarëve ka lexuar letrën ku ai jep dorëheqje nga pozita e tij, duke njoftuar njëkohësisht se është ftuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

https://kallxo.com/doreheqja-mes-lotesh-e-ramush-haradinajt/

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.