Duhan i kontrabanduar - Foto: Dogana e Kosovës (Arkiv)

Konfiskohen mbi 7 Tonë Duhan të Kontrabanduar

Dogana e Kosovës njofton se ka konfiskuar mbi 7 tonë duhan, që dyshohet të jetë kontrabanduar nga Maqedonia.

“Gjatë dy ditëve të fundit Dogana ka realizuar një aksion rreth kapjes së një sasie të duhanit, e cila është e kontrabanduar nga Maqedonia. Njësitet e Doganës në rrugë operative kanë arritur deri tek lokacioni i dyshuar”, thuhet në një komunikatë të Doganës.

Sipas autoriteteve doganore, ky aksion kishte për qëllim kontrollimin e një ndërtese banimi në një fshat të komunës së Vitisë me dyshimin se në objektet përcjellëse gjendeshin mallra të kontrabanduara.

“Me urdhër të gjykatës, njësitet e Doganës, të asistuara nga Policia, kanë filluar bastisje ku si rezultat i saj në këtë pronë janë gjetur sasi e konsiderueshme e duhanit për të cilin pala nuk ka poseduar asnjë dokument. Me urdhër të prokurorit personi i cili është gjetur në posedim të këtij malli është arrestuar kurse tërë sasia e duhanit, saktësisht 7,760 kilogramë është konfiskuar”, vijon njoftimi.

Në prezantimin e të arriturave për periudhën janar-prill 2016, ky institucion ka njoftuar se ka hapur 44 raste hetuese, prej tyre 7 kallëzime penale, si dhe të parandalojë 523 tentime për kontrabandë dhe evazion fiskal.

 

http://kallxo.com/dogana-ne-2016-en-53-7-milione-euro-shume