Foto-ilustrim

Konfiskim i Armëve të Përdorura në Ahengje

Policia nisi aksionin e bastisjeve të shtëpisë dhe veturës në Rrugën “Demë Ahmeti” në Prishtinë pas pranimit të informacioneve për gjuajtje me armë zjarri.

Në një komunikatë të policisë u bë i ditur edhe lloji i armëve dhe municionit të konfiskuar.

“Hetuesit policorë pas pranimit të informacioneve për gjuajtje me armë zjarri  kanë bastisur një shtëpi dhe një veturë ku janë gjetur dhe konfiskuar një revole e tipit ‘Glock’ me nëntëmbëdhjetë fishekë, një revole tjetër e tipit ‘TT’, një armë automatike, shtatë karikatorë si dhe 209 fishekë të së njëjtës armë,” thuhet në komunikatë.

Policia më tutje njofton se pas këtyre bastisjeve janë arrestuar tre persona për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, por të arrestuarit sipas policisë janë liruar me rekomandim të prokurorit.

Policia në komunikatë njoftoi se kohëve të fundit janë shtuar të shtënat në Prishtinë gjatë ahengjeve, ndërsa u bëri thirrje personave që marrin pjesë nëpër festa të ndryshme që të mos gjuajnë me armë, pasi policia në raste të tilla do të ndërhyjë edhe për bastisje, por edhe për kontrollim të pjesëmarrësve nëpër ahengje.

“Apelojmë te qytetarët tanë dhe kërkojmë nga ta që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve si dhe të ndihmojnë vetveten që gëzimet, ndejat, ahengjet dhe dasmat e tyre të përfundojnë ashtu siç ata dëshirojnë,” thuhet në komunikatën e policisë.

Edhe në Mitrovicë policia konfiskoi një pushkë automatike, e cila dyshohet se u përdor në një aheng në fshatin Zhabar të kësaj komune.

http://kallxo.com/arrestohet-dhe-lirohet-per-te-shtena-ne-aheng/