Komunat e Mitrovicës Bisedojnë për Ndarjen Administrative

Kanë filluar takimet ndërmjet zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut në lidhje me heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.
“Këto ditë jemi duke diskutuar në lidhje me barrikadën, andaj nuk po preferoj të flas më shumë rreth kësaj”, deklaroi Bahtiri.

Kur është biseduar herën e kaluar për heqjen e barrikadës mbi Ibër temë diskutimi dhe mospajtimi ka qenë edhe çështja e ndarjes administrative e këtyre komunave.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq në tetor të vitit të kaluar kishte thënë për KALLXO.com se para se të fillojnë punimet në urën e Ibrit duhet të nënshkruhet memorandumi i demarkacionit që ndan Mitrovicën në dy komuna.

http://kallxo.com/zevendesambasadorja-prisni-edhe-dy-dite-per-punimet-ne-uren-e-ibrit/

Ndërsa sot për KALLXO.com Agim Bahtiri deklaroi se janë duke vazhduar takimet dhe diskutimet për arritjen e një marrëveshjeje në lidhje më kufijtë administrativë të këtyre dy komunave.

“Jemi duke diskutuar edhe sa i përket kufijve administrativë. Deri tani të gjitha rrugët na çojnë tek një marrëveshje. Jemi dukë bërë të pamundurën që të dalim faqebardhë”, tha shkurtimisht Bahtiri për KALLXO.com.
Në anën tjetër ka qenë e pamundur të marrim ndonjë përgjigje zyrtare nga ana e Qeverisë.
Ndërsa kujtojmë se në qershor të vitit 2014 është larguar për pak kohë barrikada në urën mbi lumin Ibër për t’u rikthyer përsëri pas pak kohe.

http://kallxo.com/agim-bahtiri-tenton-ti-marre-meritat-per-heqjen-e-barrikades-tv/

Ndërsa në tetor të vitit 2015, Bashkimi Evropian kishte financuar punët për rivitalizimin e urës së Ibrit.

Shpresohej se pas përfundimit të punëve do të mundësohej lëvizja e lirë e qytetarëve mbi këtë urë.

http://kallxo.com/ura-e-ibrit-rrethohet-ne-tri-ane-me-llamarina/