Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt. Foto: Kallxo.com

Koci: Lushtaku u Dënua nga Një Dëshmi

Koci tha se Lushtaku, por edhe Sylejman Selimi u dënuan nga dëshmia e vetëm një dëshmitari.

“Kjo është hera e parë që dikush dënohet në bazë të një dëshmie. Sa kam njohuri, praktika nuk njeh një rast të tillë. Ky është një rast unik, pasi dënimi i Sami Lushtakut dhe Sylejman Selimit bazohet vetëm në dëshminë e një dëshmitari,” tha Koci.

Sipas avokatit, gjykata e shkallës së parë ka shkelur të drejtat themelore që parashihen me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky nen i kësaj konvente ka të bëjë me të drejtën e të akuzuarit për një proces të rregullt gjyqësor.

Koci gjatë shtjellimit të ankesë së tij për dënimin e Sami Lushtakut në Gjykatën e Apelit, kërkoi nga kjo gjykatë lirimin e klientit të tij dhe heqjen e paraburgimit për të.

Më 27 maj të vitit të kaluar në rastin “Drenica 1” Sami Lushtaku u dënua me 12 vjet burg për një vrasje të kryer në vitin 1998, ndërsa Sylejman Selimi me 6 vjet burg për keqtrajtim të të burgosurve në një qendër ndalimi në Likovc gjatë luftës.

Duke mbështetur fjalën e avokatit të tij, Sami Lushtaku kërkoi që nëse Gjykata e Apelit e gjen fajtor për këtë vrasje ta dënojë me dënim kapital, e jo me 12 vjet siç është dënuar.

Lushtaku kërkoi që të mos paragjykohet vetëm pse ishte ushtar i UÇK-së.

Arianit Koci dje nuk e shtjelloi ankesën në Apel, ngase tha se nuk kishte kohë për t’u bërë ky shtjellim, pasi orari i punës po përfundonte.

http://kallxo.com/perkthyesit-mungojne-ne-drenica-1/

Prokurori pas dënimeve të Lushtakut e Selimit dhe lirimit të pesë të akuzuarve tjerë, u ankua në Gjykatën e Apelit duke kërkuar dënime më të ashpra për këta të dy dhe shpallje fajtorë të të liruarve Sabit Geci, Jahir Demaku dhe Sahit Jashari.

Aktualisht shtjellimin e ankesës së tij në Apel është duke e bërë Haxhi Millaku, avokat i Sabit Gecit.

Edhe Millaku tha se nuk ka prova fajësie për klientin e tij.

“Asnjë provë tjetër përveç atyre që kryetari i trupit gjykues i quan prima facie, asnjë provë tjetër nuk është vërtetuar,”

“Prima facie” është një term juridik që nënkupton pasjen e provave themelore për fajësinë e dikujt, por që ato prova ka mundësi të hedhen poshtë gjatë procesit gjyqësor.

Millaku tha se dëshmitari që përmendi Sabit Gecin nuk dha dëshmi të besueshme.

“Dëshmitari B  ka thënë se emrin e Sabit Gecit e ka kuptuar nga disa ushtarë që emrat nuk u ka thënë,” tha Millaku.

Avokati i Sabit Gecit kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta vërtetojë pafajësinë e klientit të tij.