Kërkohet vazhdimi i arrestit shtëpiak për të dyshuarit për aksidentin në Gjilan

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar vazhdimin e arrestit shtëpiak për pronarin e kompanisë së ujit “Peja” dhe shoferit të kamionit, i cili shkaktoi aksidentin tragjik në qendër të Gjilanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e rastit Rozelinda Manastiri.

“Gjatë ditës së sotme kam kërkuar që t’u vazhdohet masa e arrestit shtëpiak dy të dyshuarve. Gjithashtu është bërë edhe ekzaminimi i kamionit që shkaktoi aksidentin. Ende nuk kemi raport përfundimtar”, tha Manastiri për KALLXO.com.

Sot në mëngjes ka vdekur një grua e cila ka qenë e lënduar në aksidentin më 7 mars  në qendër të Gjilanit.

Sipas prokurores Manastiri, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

https://kallxo.com/foto-te-reja-nga-aksidenti-ne-gjilan-foto/

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për zhvillimet lidhur me aksidentin.

Për shkak të përplasjes nga kamioni, një person kishte vdekur në vend, ndërsa 27 të tjerë janë lënduar.

Sipas Prokurorisë, kamioni i cili shkaktoi aksidentin në Gjilan kishte pasur probleme teknike ndërsa ishte zbuluar se i njëjti kamion kishte dy vite pa u kontrolluar teknikisht ku edhe kishte pasur gjoba për mosregjistrim dhe mungesë të kontrolleve teknike.