
Dënohen shoferi e pronari i kompanisë për aksidentin tragjik në Gjilan
Me katër vite e tetë muaj burg është dënuar shoferi i automjetit, Mustafë Avdiaj, dhe me dy vite e tetë muaj burg është dënuar pronari i Kompanisë “Uji i Pejës”, Vigan Tigani në lidhje me aksidentin tragjik në Gjilan, nga i cili mbetën të vdekur dy persona, e disa të lënduar.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Rozelinda Manastiri.
Në një aktakuzë të përbërë prej 22 faqeve Prokuroria Themelore në Gjilan ka përmbledhur të gjitha dëshmitë, ekspertizat e të involvuarve në rastin e aksidentit të 7 marsit të vitit2019, aksident ky i cili ndodhi në qendër të Gjilanit nga ku dy persona kanë vdekur ndërsa dhjetëra të tjerë janë lënduar.
Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë ndaj Vigan Tiganit pronarit të kompanisë “Uji i Pejës” dhe punëtorit të tij Mustafë Avdiaj.
Çka thotë ekpertiza e komunikacionit për mënyrën e shkaktimit të aksidentit të komunikacionit
Duke e parë mënyrën e kryerjes së veprës penale më të cilin rast janë shkelur dispozitat e Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesë për konstatim dhe përgjigje profesionale se me lëshimet e kujt ka ardhur deri te aksidenti i komunikacionit.
Gjithmonë sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, raporti i ekspertizës së komunikacionit doli se: “Shkaktar kryesor i aksidentit në komunikacion ishte ngasësi i automjetit transportues ku i pandehuri ka drejtuar automjetin transportues pa kontrollë teknike dhe pa dokumentacionin tjetër të nevojshëm për qarkullim, ku gjendja teknike jo e rregullt dhe mungesa e të gjitha dokumenteve të nevojshme për qarkullim ishin të ditura nga ngasësi.
– ka vazhduar lëvizjen dhe drejtimin e automjetit transportues në një distancë prej 1166 metrave, nga pemtaria “VILSON”, deri te ndalja e plotë , duke mos shfrytëzuar manovrimin me timon për nxjerrjen e automjetin jashtë rrugës.
– pas, dështimit të sistemit të frenimit, përshkak të ngarkesës dhe teposhtëzes, automjetit vazhdimisht i është rritë shpejtësia mbi atë të lejuar, me çka janë rrezikuar pjesmarrësit në komunikacion.
Shkaktar dytësor Firma “Uji i Pejës”, e cila ka vënë në qarkullim me dijeni automjetin transportues, të cilit i mungonin:
– Kontrollimi teknik dhe gjendja jo e rregullt teknike – Certifikata e regjistrimi të automjetit, – Certifikata e kontrollimit teknikik (kontrollimi teknik ishte i skaduar me dt:18.08.2017), – Çertifikata e tahografit, ku çertifikata e tahografit i kishte skaduar me dt:14.12.2018, – Urdhërin e udhëtimit, – Dëshmia e ngarkesës në mjet, – Vërtetimi se automjeti është në gjendje të rregullt për ngasje (qarkullim), – Ditari e automjetit, – Fletën garantuese për servisim të aparatit kundër zjarrit.
Në bazë të eksperizës mbi egzaminimin e gjendjes teknike automjetit të datës 10 Maj 2019 është konstatuar se:
Sistemi i drejtimit te kamionit para dhe gjatë aksidenteve zingjirore, ka funksionuar mirë.
Mungesa e ajrit të komprimuar, sasia e pamjaftueshme e glicerinës në enën e sistemit hidraulik të komandimit të lidhëses friksione ose ndonjë defekt tjetër në këtë sistem i ka pamundësuar ngasësit që t’a ngasë kamionin në shpejtësinë me të vogël të mundshme.
Efikasiteti i sistemit të frenimit në kamion nuk ka mundur të egzaminohet në Qendrën e kontrollimit teknik për shkak të dëmtimeve të mëdha të kamionit
Sistemi i frenave punues në kamion ka dështuar si rezultat i dëmtimit (plasaritjes) së gypit
Sistemi i frenimit emergjent (tre stop cilindrave) në rrotat e boshtit ngasës të kamionit ka qenë paraprakisht i deaktivizuar , në anën e majtë plotësisht , kurse në anën e djathtë pjesërisht
Të gjitha gomat në kamion kanë qenë ne gjendje të mirë teknike.
Kështu që sipas ekspertizës,sistemi i frenave punues të kamionit ka dështuar , si pasojë e dëmtimit të gypit elastik , që mund të ketë ndodhur pak çaste para aksidentit , kurse dështimi i funksionimit të frenave emergjent është pasojë e intervenimit paraprak në ta , respektivisht de-aktivizimi i tyre.
Gjithmonë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan të siguruar nga KALLXO.com, kontrollimi i fundit i kamionit kishte qenë në korrik të vitit 2016.
Më 18 korrik 2017 të njëjtit automjet i ka skaduar edhe regjistrimi.
Provat e prokurorisë defekti në frenat e kamionit shkaktar i aksidentit në Gjilan
Artikulli është përmirësuar në emrin e kompanisë nga “Uji i Mirë” në “Uji i Pejës”. Emri i kompanisë Uji i Mirë ështè përmendur gabimisht. Kallxo.com i kërkon ndjesë kompanisë Uji i Mirë për lëshimin.