Nga 30 ditë paraburgim për 30 të arrestuarit për kazinotë në Karaçevë

30 të arrestuarit në aksionin e së premtes në fshatin Karaçevë janë dërguar në paraburgim.

12 nga të arrestuarit janë zyrtarë policorë, të cilët po dyshohen për ndihmë në kontrabandë e lojëra të fatit.

30 nga 35 personat e arrestuar në aksionin në Karaçevë kanë dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake Ramiz Azizi, i cili vendosi që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë.

Pesë nga 35 të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë ditës së sotme u mbajt seanca ndaj të dyshuarve pas kërkesës së prokurores Rozelida Manastiri për aksionin në Karaçevë.

Zyrtarët policor të dyshuar u sollën në Gjykatën e Gjilanit nën përcjelljen e ekipeve të Inspektoratit Policor të Kosovës ndërsa të tjerët janë sjellë nën përcjellje të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com po qëndron para Gjykatës në Gjilan ku po pret edhe ardhjen e personave të tjerë të arrestuar.

Gjithashtu jashtë rrethojave të Gjykatës, ekipi i KALLXO.com ka parë familjar të personave të arrestuar në aksionin në Karaçevë.

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe zyrtari policor me inicialet F.L, i cili natën e aksionit në Karacevë ishte arratisur ndërsa dje kishte vendosur që t’i përgjigjej organeve të rendit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për operacionin e Prokurorisë, IPK-së dhe Policisë, në lidhje me shuarjen e kazinove në fshatin Karaçevë, shumë pak kilometra larg pikës kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Karaçeva është konsideruar një zonë e paprekur nga organet e rendit të Kosovës, për shkak që e njëjta është nën mbikëqyrje të KFOR-it, por institucionet e Kosovës treguan se kjo zonë nuk është më e paprekshme ndërsa u rrënuan 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale në po këtë zonë.