Aksidenti i Gjilanit: Biznesmeni pranon se e dinte që kamioni kishte defekte

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur sot aktakuzë ndaj dy personave lidhur me aksidentin tragjik të 7 marsit 2019, që ndodhi në qendër të Gjilanit.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan në të cilën përshkruhet në mënyrë detaje i gjithë aksidenti si dhe ekspertizat dhe dëshmitë e dëshmitarëve të rastit duke përfshirë edhe vozitësin Mustafë Avdiaj dhe pronarit të kompanisë së ujit Vigan Tigani.

Në deklaratën që ka dhënë Vigan Tigani në Prokurori thuhet se ai ka qenë i njoftuar paraprakisht për gjendjen jo të mirë të kamionit.

“Mustafa e ka ngritur shqetësimin e tij, ku unë i kam thënë që kamionin ta dërgojë tek servisi më i mirë dhe i njëjti e ka dërguar me siguri sepse ai është punëtori më i mirë dhe unë tek ai kam besim. Duke shtuar se ai e posedon vetëm ketë kamion mirëpo për shkak të regjistrimit të njëjtin jam munduar ta shfrytëzojmë sa më pak dhe në rastet që kam pasur nevojë për shpërndarje të mallit unë kam kontraktuar me qira kamiona edhe nga kompani tjera transportuese”, thuhet në deklaratën e Tiganit që e ka dhënë në Prokurori.

Gjithashtu ai ka dhënë edhe arsyetimin se pse nuk ka arritur që ta regjistroj kamionin.

“Duke deklaruar se kamioni nuk ka qenë i regjistruar, sepse VEV group, si kompani familjare ka barrë tatimore në ATK, dhe ATK-ja i ka bllokuar asetet dhe llogaritë e kompanisë dhe për këtë shkak ne këtë kamion nuk kemi mundur ta regjistrojmë prej muajit Korrik të vitit 2017 kur edhe i ka skaduar regjistrimi. Gjithashtu, i njëjti ka deklaruar se për kamionin konkret”, thuhet tutje në deklaratën e Tiganit.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar në lidhje me aksidentin i cili ka ndodhur më 7 mars në qendër të Gjilanit.

Qerim Çoçaj ka vdekur nga aksidenti, 23 persona kanë pësuar lëndime trupore, 3 të tjerë janë dërguar në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda ndërsa, dhjetë makina kanë qenë të përfshira në aksident.

I gjithë aksidenti ka ndodhur kur, nga hyrja e stacionit të autobusave në Gjilan, shoferi i kamionit M. A, ka humbur kontrollin mbi kamion.

Në kërkesën të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se M. A., gjatë ditës së djeshme, rreth orës 14:05, në rrugën ,”Idriz Seferi” në Gjilan, duke u kyçur në rrugën kryesore me kamionin në të cilin ishte duke vozitur, e humbë kontrollin mbi drejtimin e automjetit ndërsa dyshohet se i ka dështuar sistemi i frenimit.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit i rritet shpejtësia pas dyshimit të dështimit të sistemit të frenimit dhe fillon t’i rritet shpejtësia e lëvizjes dhe me të arritur afër hyrjes së Stacionit të Autobusëve, fillimisht e godet në anën e majtë një “Audi” e cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, e pastaj vazhdon rrugën dhe me të arritur afër daljes së Stacionit të Autobusëve e godet mbrapa automjetin “Reno Espaso”, i cili ishte duke lëvizur në të njëjtin drejtim, automjet të cilin e shtynë deri te vendkalimi për këmbësorë në trotuar, në anën e djathtë në raport me drejtimin e lëvizjes afër furrës “Çoçaj” dhe me këtë rast i godet dy këmbësorë, njëri nga ta ishte edhe Qerim Çoçaj, i cili më pas ka vdekur nga lëndimet e marra.