Kardinali Ernest Simoni në katedralen "Shën Tereza" në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Kardinali Simoni Shumë i Lumtur që Është në Kosovë

Shumë i kënaqur me vizitën e tij në Kosovë është shprehur kardinali i vetëm shqiptar në Vatikan, Ernest Simoni.

Kardinali Simoni është i dërguari i posaçëm i papa Françeskut për shugurimin e katedrales “Shën Tereza” që do të bëhet nesër.

“Për mua ishte gëzim shumë i madh kur mora vesh nga i shenjti atë, papa, që personalisht do të shkoj në Prishtinë që t’i dërgoj urimet e tij më të përzemërta, dashurinë më të thellë për popullin vëlla kosovar, shqiptar”, tha kardinali, i cili u mirëprit nga drejtuesit e Ipeshkëvisë së Kosovës.

Ardhjen e të dërguarit të posaçëm të Atit të Shenjtë në Prishtinë për shugurimin e katedrales “Shën Tereza: e ka cilësuar “dhuratë“ përfaqësuesi i Ipeshkvisë, Don Lush Gjergji.

Me drejtuesit e Ipeshkëvisë kardinali Ernest Simoni ka drekuar me të varfrit.

Kardinali Simoni i shmangi komentet rreth njohjes së Kosovës nga Vatikani duke thënë se nuk ka autorizim nga shteti i Vatikanit për të folur rreth kësaj çështjeje.