KALLXO 360: Ecja Nëpër Prush, ’Ritual Shpirtëror’ në Prizren

Nisja e stinës së pranverës është shënuar shumë më ndryshe se zakonisht në Prizren.

Shoqata “Vegimi Mistik” ka ndezur zjarr në këtë qytet ndërsa mysafirët janë zbathur dhe kane ecur nëpër prush.

Hidajet Bytyqi, kryetar i kësaj shoqate, ka shpjeguar për KALLXO.com arsyet për mbajtjen e këtij rituali dhe ecurinë e tij.

Sipas Bytyqit, ky ritual që organizohet në fillimin e pranverës ka për qëllim forcimin shpirtëror të njerëzve ndërsa ai vlerëson se ecja në prush ka edhe efekte pozitive shëndetësore.

“Ndjenja me ecë në prush të kënaq, është një ndjenjë që as nuk e mendon se ku po ecë vetëm normalisht e ndjen një nxehtësi. Prej vitit 2000 jam pjesë e këtij rituali dhe ka shumë të interesuar për të ecur në prush” tregon Bytyqi.

Në këtë ritual pati pjesëmarrës nga shumë pjesë të Kosovës por edhe nga Shqipëria, shumica prej të cilëve e përjetuan për herë të parë ecjen në prush.

Isa Neza, një ekonomist nga Tirana, i cili eci për herë të parë në prush e përshkruan ritualin si një shtytje për të sfiduar të pamundurën.

“Kemi ardhur rreth 10 vetë nga Tirana për të marrë pjesë në këtë event. Ishte një kënaqësi e paimagjinueshme dhe kjo ka një domethënie shumë të madhe për faktin sepse kur ta mendosh se njeriu kalon nëpër një prush të tillë do të thotë që njeriu mund të arrijë dhe të realizojë çdo gjë nëse dëshiron”, përshkruan Neza.

Në ndërkohë  Merita Koci, psikologe nga Prizreni e cila eci për herë të parë në prush tha se fillimisht kjo eksperiencë e frikësonte.

“Për mua është eksperienca e parë, për me ecë në zjarr. Kam dëgju për këtë shumë herë edhe të them të drejtën kam qenë mjafti skeptike për këtë gjë edhe deri në momentin e fundit që isha aty dhe nuk e besoja që do të mundem  ta bëj,ecjen në zjarr edhe pas këtyre meditimeve edhe këtyre ritualeve”, tha Koci.

Para fillimit të ecjes në prush organizatorët japin instruksione dhe meditojnë së bashku më të gjithë ata që do të ecin për të siguruar përgatitje mentale dhe fizike.

Organizatori Bytyqi thotë se këtë e arrijnë përmes mendimeve pozitive dhe trajnimit shpirtëror të atyre që do të ecin në prush.

“Rituali që e bëjmë është se në gjithsecili kur të fillojmë të mendojmë se do ecim në prush e mendojmë se do ecim në akull, edhe për atë nuk e ndjejmë të nxehtin”, tha Bytyqi.

Organizimi i ritualit bëhet çdo vit me marrjen paraprake të lejes nga ministria e planifikimit hapësinor dhe mjedisit për ndezjen e zjarrit.

Kjo është arsyeja që sipas Bytyqit rituali është organizuar me vonesë e jo në ditën e pranverës siç organizohet zakonisht.