Pamje nga një seancë gjyqësore në rastin e Naser Kelmendit - Foto: KALLXO.com

K1 Akuzon Turkoviqin për Vrasjen e Delaliqit

Dëshmitari i  Prokurorisë në rastin e Naser Kelmendit, i koduar me shifrën K1, duke u marrë në pyetje nga avokati i të akuzuarit, Besnik Berisha, përmendi emrin e Sheila Turkoviqit në disa situata që ndërlidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit.

Duke u pyetur për Zijad Turkoviqin, burrin e Sheilas, që të dy dëshmitarë të Prokurorisë në rastin e Kelmendit, K1 e vlerësoi si kriminel Zijad Turkoviqin.

Dëshmitari më tej tha se Zijad Turkoviq ishte i gatshëm që të vriste këdo me të cilin gruaja e tij do të kishte lidhje, ndërsa i pyetur nga avokati Berisha se a e kishte kuptuar Zijad Turkoviq që gruaja e tij kishte një aferë me Ramiz Delaliqin, dëshmitari u përgjigj shkurt “po”.

Më tej K1 tha se ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për të motivuar Turkoviqin që ta vriste Ramiz Delaliqin, por se kishte edhe arsye të tjera. “Po kishte edhe arsye tjera por kjo e ka shtyrë më së shumti”, tha K1.

Ramiz Delaliq u vra në Sarajevë më 27 qershor 2007 ndërsa për vrasjen e tij po akuzohet Naser Kelmendi.

Sheila Turkoviq ishte më herët dëshmitare në gjykimin e Kelmendit ndërsa pretendonte se Ramiz Delaliq u vra nga njerëz të afërt me Kelmendin.

Edhe Zijad Turkoviq ishte dëshmitar në gjykimin e Kelmendit në këtë gjykim.

Zijad Turkoviq u dënua me dënim afatgjatë nga një gjykatë në Bosnjë në nëntor të vitit 2013 për udhëheqjen e një grupi të krimit të organizuar që ishte përgjegjës për disa vrasje, kontrabandim të drogës si dhe kryerjen e disa vjedhjeve.

Avokati Berisha më pas e pyeti dëshmitarin për një person me emrin Millenko Lekiq për të cilin K1 tha se ishte një person që kryente vrasje për Zijad Turkoviqin.

Dëshmitari tha se Lekiq është përpjekur ta vriste Kelmendin, ose nëse atë nuk mundet ndonjërin nga djemtë e tij dhe këtë e kishte tentuar gjatë dasmës së djalit të Naser Kelmendit.

K1 pretendon se ishte i afërm me çiftin Turkoviq. Ai tha se Sheila ishte në njohuri për të gjitha aktivitetet kriminale të burrit të saj, ndërsa për një rast tha se ishte e përfshirë në numërimin e parave.

“Ne së bashku i kemi numëruar paratë me makinën e parave që unë e kisha sjellë”, tha K1, i pyetur për një vjedhje që kishte ndodhur në Aeroportin e Sarajevës.

Dëshmitari i mbrojtur më tej tha se Sheila më pas kishte shkruajtur një artikull në magazinën “Expres”, ku i devijonte hetimet për grabitjen në aeroport drejt një personi tjetër me emrin Darko Elez.

K1 tha se disa nga paratë Sheila Turkoviq i kishte investuar në Republikën e Maqedonisë, ku kishte edhe një fabrikë.

Sheila Turkoviq më herët ishte e punësuar në korporatën “Avaz” në pronësi të politikanit dhe magnatit të mediave Fahrudin Radonçiq ndërsa në gjykimin e Kelmendi ishte dëshmitare e Prokurorisë.

http://kallxo.com/deshmitarja-flet-per-lidhjet-e-naser-kelmendit-me-fahrudin-radonqiq/

http://kallxo.com/sheila-turkoviq-perballet-me-mbrojtjen-e-kelmendit/

http://kallxo.com/turkoviq-e-njoftuam-delaliqin-per-planin-e-vrasjes-se-tij/

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga Policia e Kosovës në majin e vitit 2013, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet e  tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar 2015, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi gjykimin e Naser Kelmendit. Raportet nga seancat gjyqësore mund t’i gjeni këtu.