Ahmet Isufi, Deputet, AAK

Isufi : Kidnapimi i Shtetasve Turq Antikushtetues dhe Antiligjor

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi  në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së tha se rasti i  gjashtë shtetasve turq ka tronditur Kosovën për shkak që sipas tij këto veprime kanë qenë antikushtetuese dhe antiligjore.

“ Rasti i kidnapimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq ka tronditur jo vetëm opinionin e Kosovës por edhe më gjerë,  sepse kemi të bëjmë me një veprim antikushtetues dhe antiligjor”, tha Isufi.

Ai tha se ka munguar përgjegjësia e zinxhirit komandues dhe llogaridhënia e vartësve institucionalë karshi shefave të tyre.

“Po vërehet se ka munguar përgjegjësia e zinxhirit komandues, sepse vartësit nuk u kanë raportuar shefave të tyre”, deklaroi Isufi.

Deputeti Isufi tha se lirimi nga detyra i ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi nuk është i mjaftueshëm për të pasur një pasqyrë të vërtetë për rastin e gjashtë shtetasve turq.

“ Dua të them së është ky rast që duhet t’i bëjë me dije gjithë ata që marrin përgjegjësi institucionale dhe publike që të veprojnë në bazë të kushtetutës dhe ligjit në Kosovë”, deklaroi ai.

Isufi tha se veprimet ndaj shtetasve turq i kanë dëmtuar interesat e Kosovës, marrëdhëniet me shtetin e Turqisë dhe me vendet e tjera që sipas tij kanë kontribuar dhe vepruar në Kosovë.