Isa Mustafa - Foto: Atdhe MULLA

Isa Mustafa frikohet se gjendja në veri është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u ka drejtuar disa pyetje institucioneve qendrore të vendit në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Isa Mustafa ka pyetur presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë se a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Po ashtu, kreu i LDK-së pyet se a vazhdojnë të financohen këto komuna për paga, mëditje, mallra dhe shërbime, investime kapitale, transfere sociale dhe nevoja tjera nga buxheti i Kosovës dhe kujt i japin përgjegjësi.

Këtë pyetje ai e bën pas kryetarët e këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje muaj më parë.

Mustafa pyet pse nuk shpallen zgjedhjet e parakohshme në këto komuna.

I pari i LDK-së pyet edhe nëse institucionet e vendit po arrijnë të mbikëqyrin vijën kufitare të këtyre komunave me Serbinë për të parandaluar krimin ekonomik, hyrjen ilegale të mallrave përmes rrugëve sekondare dhe evazionin fiskal.

Të premten, emisioni “Drejtësia në Kosovë“, transmetoi hulumtimin 6-mujor rreth kontrabandës së mallrave nga Serbia.

https://kallxo.com/deshmi-qe-mallrat-serbe-vazhdojne-te-importohen-ne-kosove-edhe-pas-takses-100/

Isa Mustafa në një postim në profilin e tij në “Facebook” ka shprehur frikën se kjo gjendje në veri është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, “për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”.

Ky është postimi i plotë i Isa Mustafës:

“Çfarë po ndodhë me dhe në veriun e vendit, a di kush?

Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore).

– A vazhdojnë të financohen këto komuna për paga, mëditje, mallra dhe shërbime, investime kapitale, transfere sociale dhe nevoja tjera nga buxheti i Kosovës dhe kujt i japin përgjegjësi?

– Në çfarë mënyre institucionet e Kosovës komunikojnë me qytetarët e Republikës së Kosovës, serbë, shqiptarë, boshnjak e tjerë që jetojnë në veri?

– Si komunikohet dhe si funksionojnë gjykatësit dhe prokurorët serb në veri të vendit dhe kujt po i japin përgjegjëi?

– A po arrijnë institucionet e vendit të mbikëqyrin vijën kufitare të këtyre komunave me Serbinë për të parandaluar krimin ekonomik, hyrjen ilegale të mallrave përmes rrugëve sekondare dhe evazionin fiskal?

– Pse nuk po shpallen zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave?

– Pyes qytetarët: a është vendim i madh dhe i guximshëm i institucioneve të Kosovës që të lënë në diskomunikim 1/10 e territorit të shtetit, apo është papërgjegjësi dhe paaftësi?

Arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. Në këtë rast institucionet po e shkelin ligji.

Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht. “