Inspektorët komunalë gjatë bisedave të sotme me drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta. Foto: Kallxo.com

Inspeksioni komunal ndal renovimin në objektin e Mensës së Studentëve

Inspektorë të komunës së Prishtinës kanë ndërprerë sot punimet në renovimin e fasadës së jashtme në Mensën e Studentëve, disa javë pasi ka filluar riparimi i objekti të kësaj qendre.

Në afërsi të këtij objekti sot kanë dalë inspektorë të Komunës së Prishtinës, përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe të Qendrës së Studentëve.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta tha për KALLXO.com se Drejtoria e Urbanizimit e Komunës së Prishtinës e ka kontestuar projektin i cili, siç tha ai, është hartuar nga Banka Botërore dhe MZHE-ja.

Ai tha se inspeksioni ka ndërhyrë sot pas afateve.

“Kërkesa e tyre është që pjesa e  jashtme dhe ngjyrat e objektit të mbeten ashtu siç janë. Ne jemi dakorduar por janë disa çështje teknike pasi që duhet revidim i një pjese të projektit. Për këtë çështje Komuna e Prishtinës e ka formuar një komision, pas çdo afati kohor sepse nuk na kanë kthyer përgjigje, as pëlqim as refuzim në kohën ligjore që është dashur me na kthy. Tash po merremi me pasojat”, tha ai.

Sfishta shtoi se në këtë takim janë marrë vesh për disa çështje teknike, ndërsa shpreson që punimet në këtë pjesë të vazhdojnë pas 2 ose 3 ditësh.

“Është formuar një Komision ad-hoc prej të gjitha palëve të bëhet një zgjidhje e cila i kënaq edhe kërkesat e komunës dhe nevojat tona për rregullimin e Mensës së Studentëve”, theksoi drejtori i kësaj qendre.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga përfaqësuesit e tjerë të institucioneve që ndodheshin afër objektit të Mensës, por të njëjtit kanë kërkuar që ekipi i gazetarëve të mbajë distancë nga takimi dhe nuk kanë pranuar as të prezantohen.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Prishtinës, por ata nuk janë përgjigjur deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.

Projekti i Bankës Botërore dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për riparimin e Mensës së Studenteve ka nisur punën tash e një muaj.