Qendra Studentore, Konvikti V FOTO-KALLXO,com

Hulumtimi i Parlamentit Studentor të UP-së: Vetëm 11% e studentëve të kënaqur me jetën në konvikte

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka prezantuar të enjten, rezultatet e hulumtimit lidhur me nivelin e kënaqshmërisë së studentëve me jetesën e tyre në konvikte dhe ushqyerjen në mensë.

Gjetjet prezantuan nga senatorët e UP-së, Denis Krasniqi dhe Albin Halimi.

Në mesin e gjetjeve u përmendën nevojat dhe vlerësimet e studentëve rreth kushteve dhe infrastrukturës në konvikte, cilësisë së ushqimit, sigurisë dhe nevojës për më shumë aktivitete socio-kulturore.

Senatorët e UP-së, Denis Krasniqi dhe Albin Halimi gjatë prezantimit të hulumtimit.

Senatori Denis Krasniqi shpjegoi se punën për këtë hulumtim e kanë filluar nga mesi i shkurtit dhe se në plotësimin e pyetësorit janë përfshirë 493 studentë.

Sipas këtij hulumtimi, pakënaqësitë e shfaqura nga studentët lidhen kryesisht me mungesën e infrastrukturës së mirë, papastërtinë, mungesën e sigurisë dhe hapësirave të pamjaftueshme për sport dhe rekreacion.

“Vetëm 11.% e studentëve shprehin se janë të kënaqur me jetën në konvikte, që tregon një nivel shumë të ulët të kënaqësisë së përgjithshme. Një përqindje mesatare, 51.6% e studentëve janë mesatarisht të kënaqur, por edhe ata kanë shqetësime të ndryshme”- thuhet në raport.

Senatorët Krasniqi dhe Halimi prezantuan para mediave edhe pakënaqësitë e studentëve lidhur me ushqyerjen në mensë.

Ata theksuan nevojën për përmirësim të cilësisë dhe organizimit të shërbimit në mensë, për të siguruar ushqime të sigurta, të freskëta dhe të cilësisë së mirë për studentët.

“Në lidhje me kënaqshmërinë në cilësinë e ushqyerjes në mensë: Rezultatet tregojnë se kënaqshmëria mesatare e studentëve në këtë aspekt është relativisht e ulët, me vetëm 4.12% të tyre të ndier të kënaqur dhe 42.68% mesatarisht të kënaqur. Në anën tjetër, 33.4% e studentëve janë të pakënaqur dhe 19.79% janë shumë të pakënaqur” – u tha gjatë prezantimit.

Në hulumtim është përmendur se pakënaqësitë e studentëve kryesisht lidhen me ushqimin e ftohtë, papastërtinë e enëve të shërbyera, radhët e gjata për të marrë ushqimin, si dhe cilësinë dhe vlerat e dobëta ushqimore.

Ndërkaq, Krasniqi dhe Halimi theksuan sugjerimet që kanë nxjerrë nga ky raport.

Në mesin e tyre ata përmendën se janë të nevojshme përmirësimi i infrastrukturës në konvikte, sigurimi i dritës natyrale, ventilimi i mirë, hixhiena dhe pastërtia në konvikte, mjedis që duhet të monitorohet me kamera sigurie dhe të ketë prani të dukshme të personelit të sigurisë, intervenimi për përmirësimin e cilësisë së ushqimit në mensë, komunikimi i hapur i menxhamnetit të QS-së me studentët dhe marrja parasysh e kërkesave të banorëve të QS-së.

“Gjendja nuk është shumë  emirë, nuk është as shumë e keqe, mirëpo anon pak nga e keqja sa i përket kushteve të jetesës dhe ushqyerjes në mensë. Konsiderojmë që ky raport dhe këto rezultate do i shërbejnë menaxhmentit të QS por edhe institucioneve tjera kompetente sa i përket qendrës së studentëve për t’i përmirësuar problemet që i kemi prezantuar sot”- tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ai shtoi se pas publikimit të këtij raporti do të kenë takime me menaxhmentin e Qendrës së Studentëve, mensës dhe institucioneve tjera kompetente për t’iu prezantuar gjetjet e këtij hulumtimi.