Pamje nga seanca e sotme e rastit "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Ilir Rrecaj Dëshmitar në Rastin “Medicus”

Ish-sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Rrecaj, pritet që të dëshmojë sot në gjykimin e mjekeve Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini.

Kujtojmë se Ilir Rrecaj më parë kishte qenë i akuzuar për keqpërdorim të pozitës, apo autoritetit zyrtar, por më pas ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në seancën e kaluar si dëshmitar ishte dëgjuar edhe ish-anesteziologu i klinikës “Medicus”, Sylejman Dulla, i cili gjatë dëshmisë së tij ka pranuar se në klinikën “Medicus” kishte marrë pjesë në operacione gjatë të cilave pacienteve ju janë hequr veshka, por ka thënë se kjo është bërë për shkak të sëmundjes që pacientet mund të kenë pasur.

“Është normale kur është një tumor, atëherë pacientet vendosin që ta heqin apo jo veshkën, ato zakonisht heqin për shkak të patologjisë” kishte thënë anesteziologu Dulla  kur ishte pyetur nga prokurorja Valeria Bolici nëse gjatë operacioneve në të cilat kishte marrë pjesë ai, pacienteve të ju janë hequr veshka.

http://kallxo.com/anesteziologu-thote-se-ne-medicus-u-hoqen-veshka/

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.