(Arkiv) Pamje nga seanca e sotme e gjykimit në rastin "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Rasti 'Medicus', seanca e rigjykimit shtyhet në mungesë të avokatit

Lutfi dhe Alban Dervishi, të akuzuar për krim të organizuar me trafikim të qenieve njerëzore nuk mundën të përballen sot me akuzat në gjykatë.

Kjo për shkak se në mungesë të avokatit mbrojtës së Alban Derishit( të cilit i është revokuar autorizimi), seanca u shty për një ditë tjetër.

Lutfi Dervishi, urolog kosovar ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Pjesë e këtij gjykimi është edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, procedura e të cilit deri më tani ishte e  veçuar, ngase ai ndodhej në arrati.

Rasti ndaj të dyve do të rigjykohet në Gjykatën e Prishtinës pasi në rigjykim e ktheu Gjykata e Apelit.

Paraprakisht, nga Gjykata Themelore, Lutfi Dervishi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim dhe me gjobë në vlërë prej 8.000 euro.

Me të njëjtin Lutfi Dervishit i është ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut për një periudhë prej 2 viteve duke filluar nga dita e vuajtjes së plotë të dënimit me burgim.

Me rastin e aprovimit të ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit Lutfi Dervishi, nga shkalla e dytë, u anulua aktgjykimi i gjykatës Themelore, ashtu që kjo çështje penale u kthye në rigjykim.

Në seancën e sotme gjyqtarja e trupit gjykues Nushe Kukaj- Mekaj kërkoi organizim sa i përket dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtur.

“Është mbajtur një seancë Inter-partes me prokurorin bartës të çështjes dhe avokatin, jemi munduar të bëjmë parapërgaditje  në mënyrë që të lehtsohet shqyrtimi gjyqësor, dhe të bëhet përcaktimi se si do të veprohet me dëshmtarët e mbrojtur”, tha ajo.

Ajo shtoi se në seancën e radhës duhet vendosur se si do të procedohet me këtë çështje.

“…kemi ardhur në përfundim që të akuzuar kanë mbetur vetëm Lutfi Dervishi dhe Arban Dervishi, poashtu në aktakuzë akuzohen për krim të organizuar dhe bashkëkryerje që këto dy cilësime juridike nuk shkojnë bashkë, ashtu që për seancën e rradhës e cila do të caktohet, le të procedohet se si do të procedohet me dëshmitarët , dhe përkundër asaj gjykata menjëherë do të fillojë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar përmes zyrës së EULEX-it që të provohet sigurimi i dëshmitarëve të mbrojtur nëse nuk pajtoheni që të lëxohen deklaratat e tyre, të njëjtit përmes videokonferencës të deklarohen”, tha ajo.

Në këtë seancë po ashtu u kërkua nga gjykata caktimi i avokatit ex-officio për vazhdim të procedurës.

Lutfi Dervishi dënohet me 7 vjet e gjysmë burg